Kremlini: Takim trepalësh midis SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës do të mbahet më 4-5 shkurt
Në një deklaratë për gazetarët, Peskov tha se raundi i dytë i bisedimeve të grupit trepalësh të sigurisë midis Rusisë, SHBA-së dhe Ukrainës do të vazhdojë në Abu Dhabi
Moskë
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi se raundi i dytë i bisedimeve trepalëshe midis Rusisë, SHBA-së dhe Ukrainës do të mbahet më 4-5 shkurt në Abu Dhabi, kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë për gazetarët, Peskov tha se raundi i dytë i bisedimeve të grupit trepalësh të sigurisë midis Rusisë, SHBA-së dhe Ukrainës do të vazhdojë në Abu Dhabi. "Raundi i dytë i bisedimeve do të zhvillohet të mërkurën dhe të enjten", shtoi ai.
Pasi rikujtoi se raundi i dytë i bisedimeve ishte planifikuar fillimisht për të dielën e kaluar, Peskov tha se nevojiteshin rregullime shtesë në lidhje me oraret e punës së tre palëve.
Lidhur me pyetjen nëse Kremlini mendon të mbajë një takim midis Presidentit rus, Vladimir Putin dhe Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në një zonë neutrale, Peskov dha përgjigjen se "Zelenskyy po propozon kontakt. Putin tha se në Moskë kjo është e mundur. Ky mbetet qëndrimi ynë".
Peskov theksoi se Moska mbetet e hapur për bisedime dhe se puna vazhdon brenda grupeve të punës. Duke nënvizuar se ata e kanë mirëpritur këtë, Peskov deklaroi: "Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë këtë punë për një zgjidhje në Ukrainë".
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, kishte njoftuar se negociatat trepalëshe midis Rusisë, SHBA-së dhe Ukrainës do të vazhdonin në Abu Dhabi, kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), më 4 dhe 5 shkurt.
Negociatat e para trepalëshe midis Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së u mbajtën në Abu Dhabi më 23-24 janar.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
