Kremlini: Rusia po i monitoron nga afër zhvillimet në Venezuelë
Zëdhënësi i Kremlimit tha se Rusia po e ndjek nga afër "atë që po ndodh në Venezuelë", duke shtuar se Moska është e interesuar në ruajtjen e një situate paqësore midis Karakasit dhe Washingtonit.
Stamboll
Kremlini tha se Moska po i ndjek nga afër zhvillimet në Venezuelë mes raportimeve se presidenti venezuelas Nicolas Maduro ka kërkuar radarë dhe avionë, dhe ndoshta edhe raketa, nga homologu i tij rus Vladimir Putin, transmeton Anadolu.
Të premten, gazeta “The Washington Post”, duke cituar dokumente të brendshme të qeverisë amerikane të siguruara nga e përditshmja, raportoi se Maduro i është drejtuar Putinit me një letër “duke kërkuar radarë mbrojtës, riparime të avionëve dhe potencialisht raketa”, të cilat priteshin të dorëzoheshin gjatë një vizite në Moskë nga një ndihmës i lartë muajin e kaluar.
Në lajm thuhej se dokumentet përmbanin gjithashtu informacion për një letër për presidentin kinez Xi Jinping, në të cilën thuhej se kërkohej “zgjerim i bashkëpunimit ushtarak” mes dy vendeve për të kundërshtuar “përshkallëzimin mes SHBA-së dhe Venezuelës”.
“Ne po e ndjekim shumë nga afër atë që po ndodh në Venezuelë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, për agjencinë shtetërore ruse Tass sot herët, duke shtuar se Moska po mban kontakte me Karakasin pasi vendet janë të lidhura me angazhime marrëveshjesh të ndryshme.
“Sigurisht, ne duam që gjithçka të mbetet paqësore dhe të mos shpërthejnë konflikte të reja në rajon. Bota tashmë është plot me konflikte. Nuk duhen konflikte të reja”, shtoi ai, duke komentuar mbi tensionet në rritje mes SHBA-së dhe Venezuelës.
Washingtoni ka kryer mbi dhjetë sulme ndaj atyre që janë cilësuar si anije të trafikut të drogës që largohen nga ujërat e Venezuelës, duke vrarë të paktën 61 persona që nga shtatori. SHBA-ja nuk ka ofruar publikisht prova për mbështetjen e pretendimeve të saj për trafik droge, ndërsa Maduro i ka hedhur poshtë akuzat.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
