Kremlini: Në takimin Putin-Trump do diskutohet kriza e Ukrainës, çështjet rajonale dhe ndërkombëtare
- "Takimi është në fazat e fundit të përgatitjes, janë ndërmarrë punë intensive dhe se janë zgjidhur çështje të shumta teknike", tha këshilltari Politikës së Jashtme të Kremlinit, Ushakov

Moskë
MOSKË (AA) - Këshilltari i Politikës së Jashtme i Kremlinit, Yuri Ushakov tha se presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti i SHBA-së Donald Trump do të diskutojnë për krizën e Ukrainës, çështjet ndërkombëtare dhe rajonale si dhe marrëdhëniet dypalëshe gjatë takimit të tyre në Alaskë, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë për mediat në Moskë, Ushakov ndau detajet e takimit të Putinit dhe Trumpit të planifikuar për nesër në qytetin Anchorage në Alaskë të SHBA-së. Ai theksoi se takimi është në fazat e fundit të përgatitjes, janë ndërmarrë punë intensive dhe se janë zgjidhur çështje të shumta teknike.
Ushakov tha se samiti do të mbahet në bazën ajrore "Elmendorf-Richardson" në qytetin Anchorage ndërsa nënvizoi se pranë bazës ndodhen varret e ushtarëve sovjetikë dhe kjo është simbolike.
- "Takimi do të fillojë nesër në orën 11:30 të paradites sipas kohës lokale"
"Takimi do të fillojë nesër në orën 11:30 të paradites sipas orës lokale (22:30 sipas orës së Moskës). Putin dhe Trump do të takohen ballë për ballë me përkthyes. Takimi do të vazhdojë me pjesëmarrjen e delegacioneve të të dy vendeve. Negociatat do të vazhdojnë me një mëngjes pune", tha Ushakov.
Pasi shpjegoi se delegacioni rus do të përfshijë ministrin e Jashtëm Sergey Lavrov, ministrin e Mbrojtjes Andrey Belousov, ministrin e Financave Anton Siluanov, atë vetë dhe përfaqësuesin special të Putinit për bashkëpunim ekonomik ndërkombëtar, Kiril Dmitriyev, Ushakov shtoi se janë përcaktuar edhe emrat e delegacionit amerikan.
Në lidhje me përmbajtjen e samitit Ushakov tha se "Tema kryesore e takimit do të jetë zgjidhja e krizës ukrainase. Sigurisht, do të diskutohet një gamë e gjerë çështjesh që lidhen me sigurimin e paqes dhe sigurisë si dhe çështje kritike ndërkombëtare dhe rajonale.
"Pritet të shkëmbehen pikëpamje mbi zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh, përfshirë fushat e tregtisë dhe ekonomisë. Ekziston potencial i madh dhe për fat të keq i pashfrytëzuar në marrëdhëniet dypalëshe", potencoi ai.
Këshilltari i Politikës së Jashtme i Kremlinit, Ushakov shtoi se presidentët Putin dhe Trump do të mbajnë konferencë të përbashkët për media pas takimit dhe do të njoftojnë rezultatet e arritura.