Kremlini: Mbështesim thirrjen e Trumpit për braktisjen e zhvillimit të armëve biologjike
"Pala ruse është e gatshme të marrë pjesë në procesin e braktisjes së armëve biologjike", tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov

Moskë
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se ata mbështesin thirrjen e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për heqjen dorë nga zhvillimi i armëve biologjike, transmeton Anadolu.
Ai komentoi thirrjen e Trumpit për braktisjen e zhvillimit të armëve biologjike. "Kjo është një thirrje shumë e rëndësishme dhe mund të mirëpritet. Sigurisht, pala ruse është e gatshme të marrë pjesë në procesin e braktisjes së armëve biologjike. Do të ishte mirë ta dokumentonim këtë në nivel ndërkombëtar. Kjo është një iniciativë shumë e mirë. Sigurisht, Moska e mbështet atë", tha Peskov.
Peskov komentoi gjithashtu deklaratën e zëvendëspresidentit amerikan, J.D. Vance se "Rusia do të përballet me pasoja të rënda nëse braktis negociatat me Ukrainën", duke thënë se kjo nuk bie ndesh me dëshirën e SHBA-së për të zgjidhur krizën e Ukrainës.
"Washingtoni po përdor retorikë të ndryshme. Për momentin, ne udhëhiqemi nga fakti se Washingtoni dhe Trump ruajnë vullnetin e tyre politik për të vazhduar përpjekjet e tyre për të arritur zgjidhje paqësore për krizën e Ukrainës. Ne i mbështesim këto iniciativa. Rusia është e hapur për negociata paqeje", tha Peskov.
- "Bashkëpunimi ynë tregtar dhe ekonomik me Kazakistanin është në shumë drejtime"
Zëdhënësi i Kremlinit tha se marrëveshja midis Kazakistanit dhe SHBA-së për furnizimin me 300 lokomotiva është një çështje tregtare. "Nëse SHBA-ja bën ofertë më të favorshme tregtare, ne i kuptojmë miqtë tanë kazakë", tha ai.
Peskov shtoi se Kazakistani është një partner i ngushtë i Rusisë. "Bashkëpunimi ynë tregtar dhe ekonomik me Kazakistanin është në shumë drejtime. Ne do të vazhdojmë bashkëveprimin tonë me miqtë tanë kazakë në të gjitha fushat dhe do të marrim pjesë në të gjitha proceset konkurruese", tha ai.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.