Bota

Kremlini: Do të presim rezultatin e takimit për Ukrainën që do të mbahet nesër në Turqi

"Jo, përfaqësuesit rusë nuk do të jenë në Turqi nesër. Këto kontakte aktualisht po zhvillohen pa pjesëmarrjen ruse", tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov

Dmitri Chirciu  | 18.11.2025 - Përdıtësım : 18.11.2025
Kremlini: Do të presim rezultatin e takimit për Ukrainën që do të mbahet nesër në Turqi

Moskë

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se pala ruse nuk do të marrë pjesë në bisedime, të cilat pala ukrainase njoftoi se do të mbahen nesër në Turqi, transmeton Anadolu.

Duke komentuar furnizimin e planifikuar të Ukrainës me 100 avionë luftarakë francezë "Rafale" në vitet e ardhshme, Peskov tha: "Franca vazhdon të armatosë Kievin. Franca po e bën këtë tani dhe planifikon ta bëjë edhe nesër. Fatkeqësisht, Franca nuk po kontribuon në paqe, po nxit luftën".

Ai mbrojti idenë se avionët që Kievi do të blejë nga Franca nuk do ta ndryshojnë situatën në vijat e frontit.


- "Nuk kemi marrë informacion nga Ukraina lidhur me bisedimet e nesërme"

Duke iu referuar deklaratës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy se "nesër do të mbahen bisedime në Turqi për të intensifikuar negociatat për t'i dhënë fund luftës me Rusinë", Peskov tha se ata nuk kanë marrë informacion nga Ukraina për këtë çështje.

"Me sa duket, Zelenskyy po u referohej kontakteve që do të zhvillohen nesër në Stamboll. Këto janë kontaktet e Zelenskyyt me miqtë tanë turq. (Përfaqësuesi special i presidentit të SHBA-së Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve) Witkoff ka të ngjarë të marrë pjesë në këto bisedime. Do të presim rezultatin e këtyre bisedimeve. Rusia mbetet e hapur për procesin e negociatave. Qëndrimi ynë është i njohur mirë në Washington, Stamboll dhe Kiev", tha Peskov.

I pyetur nëse do të marrin apo jo pjesë në bisedimet e planifikuara për nesër në Stamboll nga pala ukrainase, Peskov tha: "Jo, përfaqësuesit rusë nuk do të jenë në Turqi nesër. Këto kontakte aktualisht po zhvillohen pa pjesëmarrjen ruse. Ne do të presim informacion se cilat tema do të diskutohen në Stamboll".

Ai thekson se presidenti rus Vladimir Putin nuk ka planifikuar kontakte me palën turke dhe amerikane për këtë çështje, por është i hapur për to. Zelenskyy njoftoi se bisedimet do të zhvillohen nesër në Turqi për të intensifikuar negociatat me Rusinë për t'i dhënë fund luftës.

Agjencia britanike e lajmeve Reuters njoftoi se përfaqësuesi special amerikan për Lindjen e Mesme, Witkoff, do të marrë pjesë në bisedimet e nesërme.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.