Bota

Kremlini: Bisedimet e ardhshme Rusi-Ukrainë vetëm pas shqyrtimit të rezultatit të negociatave dyditore në Gjenevë

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia nuk sheh asnjë dobi nga pjesëmarrja e Evropës në bisedimet e paqes, duke pretenduar se pozicioni i saj kontribuon në vazhdimin e luftës

Elena Teslova  | 19.02.2026 - Përdıtësım : 19.02.2026
Kremlini: Bisedimet e ardhshme Rusi-Ukrainë vetëm pas shqyrtimit të rezultatit të negociatave dyditore në Gjenevë

Moskë

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha sot se vendtakimi i raundit të ardhshëm të bisedimeve me Ukrainën do të përcaktohet pasi Rusia të analizojë rezultatet e negociatave dyditore në Gjenevë më herët këtë javë, raporton Anadolu.

Gjatë një konference për shtyp në Moskë, gazetarët e pyetën Peskovin për deklaratën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, sipas të cilit, raundi i radhës i bisedimeve do të mbahet gjithashtu në Zvicër.

Çdo vendim do të merret “bazuar në analizën e rezultateve të takimeve që u zhvilluan në Gjenevë”, tha ai, duke iu referuar bisedimeve trepalëshe për paqe mes Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së si ndërmjetësuese e takimeve të martën dhe të mërkurën.

Zyrtari shtoi se pala ruse ende nuk mund të emërojë vendin ku mund të mbahet një takim i ri për zgjidhjen e çështjes ukrainase.

I pyetur nëse presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë një raport nga delegacioni rus për rezultatet e negociatave në Gjenevë, Peskov u përgjigj pozitivisht.

Sa u përket marrëdhënieve ruso-amerikane, Peskov tha se nuk ka pasur kontakte të reja me përfaqësuesit e SHBA-së që nga takimet në Gjenevë dhe se aktualisht nuk ka të planifikuara, por se do të punohet për to.

“Jo, asgjë nuk ka ndodhur dhe asgjë nuk është planifikuar ende. Do të punohet për to dhe një vendim do të merret më vonë. Më pas do t’u takojë amerikanëve të përcaktojnë agjendën e mëtejshme”, shtoi ai.

I pyetur për përfshirjen e Evropës në zgjidhjen e çështjes ukrainase, Peskov tha se përfaqësuesit e BE-së nuk po marrin pjesë në procesin aktual të negociatave për Ukrainën.

“Gjithsesi, evropianët nuk janë të pranishëm në tryezën e negociatave. Ata nuk janë të pranishëm fare në procesin e negociatave në tërësi”, theksoi ai.

“Për momentin, të paktën nga këndvështrimi i Rusisë në formatin trepalësh të negociatave, nuk shihet ndonjë dobi nga pjesëmarrja e evropianëve. Kjo vështirë se do të ndihmojë në ndonjë gjë”, shtoi ai.

I pyetur se pse Rusia e konsideron të papërshtatshme pjesëmarrjen e evropianëve, Peskov tha se qëndrimi i tyre ndaj konfliktit në Ukrainë vetëm sa kontribuon në vazhdimin e armiqësive.

“Shumica dërrmuese e pikëpamjeve të shprehura në kryeqytetet evropiane priren të kontribuojnë më shumë në vazhdimin e luftës sesa në përpjekjet për një zgjidhje paqësore”, u shpreh ai.

Rusia dhe Ukraina mbajtën raundin e tretë të bisedimeve për paqe në Gjenevë, Zvicër, më 17–18 shkurt. Pas takimit, kreu i delegacionit rus, Vladimir Medinsky, tha se ato ishin “të vështira, por me karakter pune”, ndërsa presidenti ukrainas Zelenskyy tha se pjesa ushtarake ishte “konstruktive”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın