Bota

Kosovë, PZAP ndëshkon sërish Listën Serbe për shkelje gjatë fushatës

Ndëshkimi i PZAP-së vjen pas ankesës së parashtruar nga subjekti politik "Kosovski Savez" për subjektin Lista Serbe të cilën e vlerësoi si të mbështetur në dëshmi të qarta dhe bindëse

Agim Sulaj  | 25.12.2025 - Përdıtësım : 25.12.2025
Kosovë, PZAP ndëshkon sërish Listën Serbe për shkelje gjatë fushatës

Prishtinë

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka ndëshkuar sërish partinë më të madhe serbe në Kosovë, Listën Serbe, me gjobë prej 30 mijë eurove, pasi ka konstatuar shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore, transmeton Anadolu.

Ndëshkimi i PZAP-së vjen pas ankesës së parashtruar nga subjekti politik "Kosovski Savez" për subjektin Lista Serbe të cilën e vlerësoi si të mbështetur në dëshmi të qarta dhe bindëse.

Sipas vendimit, PZAP vlerësoi se Lista Serbe ka vepruar në kundërshtim me rregullat e fushatës dhe detyrimet ndaj kandidatëve, duke vendosur materiale promovuese në dhjetëra hapësira publike në veri të Kosovës, kryesisht në Komunën e Leposaviqit.

Si pasojë, ky subjekt politik është gjobitur me 30 mijë euro dhe është urdhëruar që menjëherë të largojë të gjitha posterat dhe materialet zgjedhore që lidhen me shkeljen.

PZAP ka ritheksuar se respektimi i Kodit të Mirësjelljes është thelbësor për garantimin e një procesi zgjedhor të drejtë dhe të ndershëm.

Lista Serbe ishte ndëshkuar edhe ditë më parë, me një gjobë prej 22 mijë eurosh: 20 mijë euro për shkeljet që i ka parashtruar te PZAP subjekti i njëjtë politik "Kosovski Savez", ndërsa 2 mijë euro për shkeljet që i ka raportuar në PZAP subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın