Kosovë, pjesëmarrja në zgjedhjet e 28 dhjetorit më e lartë se në zgjedhjet e 9 shkurtit
"Aktualisht në shumë prej vendvotimeve ka filluar numërimi i fletvotimeve të subjekteve politike. Ky është një hap kyç në përmbylljen e ditës së zgjedhjeve”, tha Radoniqi
Prishtinë
Afër 900 mijë qytetarë me të drejtë vote kanë shfrytëzuar të drejtën e votës deri në orën 19:00 sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), raporton Anadolu.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka njoftuar se deri në mbylljen e vendvotimeve votuan 897.388 persona apo 44,56 për qind nga totali i listës së personave me të drejtë vote.
“Numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në ora 19:00 është 897.388 votues apo 44,56 për qind. Deri në të njëjtën kohë, në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 kishin votuar 40,04 për qind apo 789.172”, tha Radoniqi.
Sipas Radoniqit, edhe në orët e fundit të procesit të votimit nuk është raportuar asnjë problem apo parregullsi serioze nga qendrat e votimit e cila do të cenonte procesin zgjedhor.
“Aktualisht në shumë prej vendvotimeve ka filluar numërimi i fletëvotimeve të subjekteve politike. Ky është një hap kyç në përmbylljen e ditës së zgjedhjeve”, tha Radoniqi.
Ai tha se pas numërimit të çdo vendvotimi rezultatet preliminare do të publikohen në faqen elektronike të KQZ-së.
Sot, në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pas krizës disamujore politike për të formuar një qeveri të re, ku në garë morën pjesë 24 subjekte politike, me 1.180 kandidatë për deputetë.
Të drejtë vote kishin 2.076.290 prej të cilëve 1.999.204 votuan sot brenda vendit dhe 77.086 patën mundësi ta ushtrojnë të drejtën e votës në periudhën 12-27 dhjetor.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
