Bota

Kosovë, një muaj nga seanca e parë konstituive Kuvendi vazhdon me seanca të dështuara

Nga 111 deputetë të pranishëm në sallë vetëm 55 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, një kundër dhe nuk pati abstenime

Agim Sulaj  | 15.05.2025 - Përdıtësım : 16.05.2025
Kosovë, një muaj nga seanca e parë konstituive Kuvendi vazhdon me seanca të dështuara

Prishtinë

Kuvendi i Kosovës ka dështuar sërish të konstituohet një muaj pas seancës së parë konstituive dhe në prag të një takimi të thirrur nga presidentja e vendit Vjosa Osmani, për konsultime politike me qëllim të daljes nga kriza politike dhe institucionale, raporton Anadolu.

Edhe këtë herë, seanca nisi me votimin për krijimin e një Komisioni "ad-hoc" për votim të fshehtë të pozitës së kryeparlamentarit, por shumica e partive e kundërshtuan këtë komision duke mos propozuar anëtarin (deputetin) e tyre për këtë komision.

Nga 111 deputetë të pranishëm në sallë vetëm 55 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, një kundër dhe nuk pati abstenime.

"Shihemi më 17 maj në orën 10:30", tha kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

Pas seancës, kreu i partisë së dytë më të madhe, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi tha edhe njëherë se veprimet e tilla nga Lëvizja Vetëvendosje është pengmarrje e institucioneve.

"Fiks një muaj më parë jemi mbledhur këtu për herë të parë, të gatshëm për konstituim, dhe jemi një muaj më vonë e shumë muaj pas zgjedhjeve dhe jemi në bllokadën që po vazhdon ta mbajë partia e parë", theksoi Krasniqi, i cili edhe njëherë bëri thirrje që Lëvizja Vetëvendosje ta ndërrojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.

Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.

Takimi në Zyrën e Presidentes së Kosovës është paralajmëruar për në orën 13:00 ndërsa të gjitha partitë shqiptare në Kuvendin e Kosovës kanë konfirmuar pjesëmarrjen, megjithëse janë shprehur skeptik në gjetjen e ndonjë zgjidhjeje.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın