Kosovë, gjatë vitit 2023 në aksidente trafiku humbën jetën 104 persona
“Duke marrë shkas nga numri i madh i aksidenteve dhe humbjen e jetëve në komunikacion, konsiderojmë ashpërsim të masave dhe realizim të tyre pa asnjë kompromis...”, tha Sveçla

Prishtinë
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka paralajmëruar ashpërsim të masave për shkelësit e rregullave në trafik, raporton Anadolu.
Në një konferencë për media së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha, ministri Sveçla tha se gjatë vitit 2023 në Kosovë 104 persona humbën jetën në aksidente të trafikut.
Ky fakt, sipas ministrit kosovar, e bën "të domosdoshëm" ashpërsimin e masave në trafik.
“Duke marrë shkas nga numri i madh i aksidenteve dhe humbjen e jetëve në komunikacion, konsiderojmë ashpërsim të masave dhe realizim të tyre pa asnjë kompromis. Këtë vit kemi humbur 104 qytetarë në aksidente komunikacioni, duke përfshirë edhe këmbësorë”, tha Sveçla.
Të shtunën e 16 dhjetorit në Kosovë humbën jetën tre persona në një aksident trafiku në autostradën Prishtinë-Prizren gjatë një gare ilegale me automjete. Lidhur me këtë aksident, ministri Sveçla tha se të njëjtit grup organizator të këtyre garave policia ua kishte parandaluar dy herë organizimet e tilla.
Hoxha, nga ana e tij, tha se 44 për qind e të vdekurve në aksidente kanë qenë shoferë, 28 për qind këmbësorë dhe 27 për qind pasagjerë.
Ai ka folur edhe për shkaktarët më të shpeshtë të aksidenteve ku ka përmendur “mosmbajtjen e distancës së sigurisë mes mjeteve, manipulimin e pasigurt me automjet, mospërshtatjen e shpejtësisë ndaj kushteve të rrugës, mosrespektimin e përparësisë së kalimit, kyçjen e pasigurt në rrugë” dhe të tjera.
- Rikthimi nën kontrollin e AKP-së të kompleksit “Rajska Banja” në Banjska të Zveçanit
Në konferencë, Sveçla është pyetur edhe për kompleksin Rajska Banja që gjendet në fshatin Banjska të Komunës së Zveçanit dhe e cila së fundmi u kthye nën kontrollin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) me praninë e Policisë së Kosovës.
Sveçla tha se ky kompleks “ishte pronë e AKP-së” dhe një veprim i tillë sipas tij është "mësim për të gjithë ata që duan të investojnë jashtëligjshëm se nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë”.
Ai foli edhe për menaxhimin e këtij kompleksi tash e tutje, ndërsa tha se destinimin final të këtij objekti do ta përcaktojnë ndërkohë.
“Pronare e këtij kompleksi është AKP dhe për këtë nuk ka kurrfarë dyshimi. Pse dikush ka investuar jashtëligjshëm, mendoj që është mësim për të gjithë ata, të cilët dëshirojnë të investojnë jashtëligjshëm, se nuk mund ta bëjnë”, theksoi Sveçla.
Në Banjska të Zveçanit, komunë me shumicë serbe, pikërisht më 24 shtator të këtij viti ndodhi sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës ku humbi jetën polici Afrim Bunjaku.
Për këtë sulm përgjegjësinë e mori Milan Radoiçiq, i cili u arrestua dhe më pas u la i lirë nga autoritetet serbe në Beograd.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.