Bota

Koreja e Veriut kritikon Ukrainën dhe takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Rusinë

Përfaqësuesi i përhershëm i Phenianit në OKB, Kim Song e quajti takimin "të pazakontë" dhe tha se kjo "minon" misionin e OKB-së

Riyaz Khaliq Khaliq  | 13.01.2026 - Përdıtësım : 13.01.2026
Koreja e Veriut kritikon Ukrainën dhe takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Rusinë

Stamboll

Koreja e Veriut kritikoi sot ashpër Kievin dhe seancën emergjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi Ukrainën pas sulmit të Rusisë me raketa "Oreshnik", raportuan mediat shtetërore, transmeton Anadolu.

Përfaqësuesi i përhershëm i Phenianit në OKB, Kim Song e quajti takimin "të pazakontë" dhe tha se kjo "minon" misionin e OKB-së.

"Këshilli i Sigurimit i mbledhur sipas pretendimeve unilaterale të Ukrainës nuk do të thotë kurrë mbështetje ndërkombëtare për apelin e një 'viktime'", tha Kim, sipas një deklarate të publikuar nga Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve.

"Objektivi i denoncimit dhe refuzimit janë autoritetet e Kievit", deklaroi Kim, duke kritikuar "gabuesit perëndimorë që dikur shpifnin pa bazë ushtrimin e drejtë të së drejtës për vetëmbrojtje të një shteti sovran".

Ministria ruse e Mbrojtjes tha të hënën se kishte goditur uzinën shtetërore të riparimit të aviacionit në Lviv të Ukrainës me një raketë "Oreshnik" më 9 janar, gjë që çoi në thirrjen e seancës së këshillit në New York.

"Kriza ukrainase u shkaktua padyshim nga politika e konfrontimit të SHBA-së dhe Perëndimit, të cilat shkelën interesat e arsyeshme dhe legjitime të sigurisë së Rusisë dhe përshkallëzuan përparimin e NATO-s drejt lindjes", tha Kim, diplomati më i lartë i Koresë së Veriut në organin botëror.

"Përgjegjësia për të gjitha incidentet bie tërësisht mbi palët që krijuan parakushtet për to", tha ai.

Ndërkohë, nënsekretarja e përgjithshme e OKB-së për çështjet politike dhe të ndërtimit të paqes, Rosemary DiCarlo i tha KS-OKB-së se vdekjet e civilëve në Ukrainë kanë arritur nivelin e tyre më të lartë në vitin 2025 ndërsa Rusia rrit sulmet ajrore ndaj qyteteve, sistemeve të energjisë dhe infrastrukturës civile në kushtet e dimrit.

Duke cituar të dhëna nga Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut, ajo tha se të paktën 14.999 civilë janë vrarë, përfshirë 763 fëmijë si dhe 40.601 civilë janë plagosur, përfshirë 2.486 fëmijë, që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë në shkurt 2022.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.