Koreja e Veriut hapë lagje të re banimi për familjet e ushtarëve të vrarë në luftën Rusi-Ukrainë
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un i shoqëruar nga vajza e tij Kim Ju Ae dhe zyrtarë të tjerë, mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të mbajtur të dielën për rrugën e sapondërtuar "Saeppyol"
Stamboll
Koreja e Veriut njoftoi sot se ka përfunduar ndërtimin e një lagjeje të re banimi në kryeqytetin Phenian për familjet e trupave të Koresë së Veriut të vrarë në luftën Rusi-Ukrainë, transmeton Anadolu.
Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve (KCNA) tha se udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un i shoqëruar nga vajza e tij Kim Ju Ae dhe zyrtarë të tjerë, mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të mbajtur të dielën për rrugën e sapondërtuar "Saeppyol".
Në fjalimin e mbajtur në këtë ngjarje, Kim tha se "rruga e re është ndërtuar falë dëshirës së zjarrtë të atdheut tonë që dëshiron që jetët e çmuara të bijve të saj të shkëlqyer, të cilët mbrojtën gjërat më të shenjta duke sakrifikuar gjërat e tyre më të vlefshme, të jetojnë përgjithmonë".
Duke e quajtur rrugën "një burim nderi për brezin tonë dhe një krenari të Phenianit dhe shtetit tonë", ai tha se është menduar për "anëtarët e familjeve të pikëlluara të ushtarëve të rënë dhe luftëtarëve të tjerë si dhe luftëtarët e regjimentit të inxhinierëve, të cilët janë dërguar në operacionet ushtarake jashtë shtetit".
"Partia dhe qeveria do të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar që këto familje të jetojnë një jetë krenare dhe të denjë, duke gëzuar trajtimin preferencial nga shteti dhe kujdesin e dashur të të gjithë shoqërisë", shtoi ai, sipas KCNA-së.
Pas fjalimit të tij dhe ceremonisë së prerjes së shiritit që shënoi përfundimin e rrugës, Kim vizitoi disa nga banesat për të shprehur ngushëllimet e tij. Raporti nuk specifikoi numrin e shtëpive të ndërtuara për familjet.
Koreja e Veriut dërgoi rreth 1.000 inxhinierë ushtarakë në rajonin Kursk të Rusisë në gusht 2025 për të ndihmuar forcat ruse në pastrimin e minave tokësore të vendosura gjatë luftimeve me trupat ukrainase.
Dislokimi pasoi një dërgim të mëparshëm të rreth 15 mijë trupave luftarake për të mbështetur përpjekjet e luftës së Rusisë, sipas agjencisë së spiunazhit të Koresë së Jugut, e cila pretendon se Pheniani humbi 2.000 trupa në luftë.
Koreja e Veriut dhe Rusia nënshkruan një partneritet strategjik gjithëpërfshirës në vitin 2024, duke u zotuar për mbështetje të ndërsjellë ushtarake nëse ndonjëra prej tyre sulmohej nga një palë e tretë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
