Koreja e Jugut shqyrton bashkimin me iniciativën e NATO-s për armatosjen e Ukrainës
"Qeveria ka vazhduar të konsultohet me Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut mbi masa të ndryshme për të mbështetur Ukrainën," tha një zyrtar nga Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut
Stamboll
Koreja e Jugut po shqyrton mundësinë e bashkimit me iniciativën e udhëhequr nga NATO për të furnizuar Ukrainën me municione dhe pajisje të prodhuara në SHBA, transmeton Anadolu.
Sipas raportimit nga Agjencia e Lajmeve Yonhap, Ministria e Jashtme njoftoi se Seuli po shqyrton masa të ndryshme për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj me Rusinë.
"Qeveria ka vazhduar të konsultohet me Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut mbi masa të ndryshme për të mbështetur Ukrainën," tha një zyrtar i ministrisë.
Duke cituar burime diplomatike, Yonhap raportoi se Seuli po shqyrton pjesëmarrjen në një kuadër të udhëhequr nga NATO të nisur në korrik të vitit të kaluar për të blerë armë amerikane për Ukrainën, i njohur si iniciativa e Listës së Kërkesave të Prioritizuara të Ukrainës (PURL).
Nëse Koreja e Jugut i bashkohet programit, ajo do të kontribuojë vetëm në blerjen e pajisjeve jo-vdekjeprurëse, tha raporti.
Koreja e Jugut i ka ofruar ndihmë për Ukrainën që nga pushtimi i Rusisë në vitin 2022.
Iniciativa, e nisur nga NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshin Gjermaninë dhe Holandën, si dhe partnerë jo-NATO, si Australia dhe Zelanda e Re.
Sipas programit, aleatët e NATO-s janë zotuar për 2,2 miliardë dollarë në ndihmë ushtarake për Kievin, ndërsa lufta i afrohet vitit të saj të pestë.
