Bota

Koreja e Jugut regjistron rritjen më të shpejtë të lindjeve në 18 vjet mes rritjes së martesave

Zyrtarët ia atribuuan rritjen e fundit të lindjeve një shtimi të qëndrueshëm të martesave, zgjerimit të mbështetjes qeveritare për lindjet dhe rritjes së numrit të grave në fillim të të 30-ave

Islam Uddin  | 28.01.2026 - Përdıtësım : 28.01.2026
Koreja e Jugut regjistron rritjen më të shpejtë të lindjeve në 18 vjet mes rritjes së martesave

Stamboll

Koreja e Jugut vitin e kaluar ka raportuar rritjen më të shpejtë të lindjeve në 18 vjet, të nxitura kryesisht nga rritja e martesave, transmeton Anadolu.

Sipas shifrave nga Ministria e Statistikave e Koresë së Jugut, nga janari deri në nëntor të vitit 2025 kanë lindur 233.708 foshnja, duke shënuar rritje prej 6.2 për qind nga periudha e njëjtë e vitit të mëparshëm dhe një rritje më të fortë në baza vjetore që nga vitit 2007.

Autoritetet presin që totali për gjithë vitin të tejkalojë 238 mijë lindje, duke shënuar një rritje vjetore të dytë radhazi. Vetëm në muajin nëntor, lindjet arritën në 20.710, respektivisht 3.1 për qind më shumë se viti i mëparshëm dhe shifër më e lartë e nëntorit që nga viti 2019.

Trendi në rritje i të porsalindurve ka vazhduar që nga mesi i vitit 2024. Shkalla totale e fertilitetit të vendit u rrit me një shifër të lehtë në nëntor prej 0.79 në çdo grua, pak më e lartë se një vit më parë.

Zyrtarët ia atribuuan rritjen e fundit të lindjeve një shtimi të qëndrueshëm të martesave, zgjerimit të mbështetjes qeveritare për lindjet dhe rritjes së numrit të grave në fillim të të 30-ave.

Martesat në nëntor u rritën me 2.7 për qind krahasuar me një vit më parë, duke arritur në 19.079 dhe duke shënuar muajin e 20-të radhazi me rritje, teksa divorcet ranë në 9.8 për qind.

Sipas shifrave, pavarësisht rikthimit të lindjeve, Koreja e Jugut vazhdoi të regjistrojë rënie natyrore të popullsisë, pasi vdekjet u rritën me 4.9 për qind krahasuar me një vit më parë në gjithsej 30.678, duke rezultuar në një rënie natyrore të popullsisë prej 9.968.

Ekspertët demografikë në Korenë e Jugut paralajmërojnë se rënia e zgjatur e fertilitetit mund të bëjë që popullsia e vendit të përgjysmohet gjatë 60 viteve të ardhshme.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın