Bota

Koreja e Jugut do zbatojë sistemin e rotacionit 5-ditor të automjeteve ndërsa lufta në Iran godet furnizimet me energji

Duke filluar të mërkurën, masa bëhet pjesë e përpjekjeve të qeverisë për kursim energjie për të zbutur ndikimet e mungesave globale të energjisë

Amir Latif Arain  | 24.03.2026 - Përdıtësım : 24.03.2026
Koreja e Jugut do zbatojë sistemin e rotacionit 5-ditor të automjeteve ndërsa lufta në Iran godet furnizimet me energji

Stamboll

Koreja e Jugut do të zbatojë me rreptësi sistem të detyrueshëm rotacioni pesë-ditor të automjeteve për sektorin publik për të përballuar mundësinë e ndërprerjes së furnizimit me naftë në mes të përleshjeve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme, raportuan mediat lokale, transmeton Anadolu.

Duke filluar të mërkurën, kjo masë bëhet pjesë e përpjekjeve të qeverisë për kursim energjie për të zbutur ndikimet e mungesave globale, raportoi agjencia "Yonhap" me bazë në Seul, duke cituar Ministrinë e Klimës.

Qeveria do të forcojë monitorimin e respektimit nga sektori publik të sistemit të kufizimit të përdorimit të automjeteve bazuar në numrin e targës, ku makinat ndahen në pesë grupe sipas shifrës së fundit të targës dhe secili grup ndalohet të përdorë rrugën në një ditë të caktuar të javës.

Automjetet elektrike dhe ato me hidrogjen janë të përjashtuara nga këto kufizime.

Sistemi ka qenë në fuqi më parë, por është zbatuar më lehtësisht.

Rreth 1.5 milion automjete do të jenë subjekt i rregullave më të rrepta, dhe pritet që kjo masë të ndihmojë vendin të kursejë rreth 3.000 fuçi naftë çdo ditë.

Konsumimi ditor i naftës në Kore është rreth 2.8 milionë fuçi me rreth gjysmën e saj të përdorur për transportin.

Qeveria do të lehtësojë kufizimet për prodhimin e energjisë me qymyr në ditët me nivel të ulët të grimcave të imëta si dhe do të nxitet rikthimi i shpejtë në operim i pesë reaktorëve bërthamorë aktualisht në mirëmbajtje, si pjesë e përpjekjeve për të reduktuar përdorimin e gazit natyror të lëngshëm (LNG), i cili gjithashtu është prekur nga konflikti në Lindjen e Mesme.

Ndërkohë, në një bisedë telefonike ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Cho Hyun kërkoi sot nga homologu i tij oman Badr bin Hamad Al Busaidi ndihmë për sigurimin e LNG-së dhe naftës.

Kjo telefonatë erdhi një ditë pas kur Cho i kërkoi homologut iranian Abbas Araghchi të sigurojë lundrim të sigurt përmes Gjirit të Hormuzit.

Shkallëzimi rajonal në Lindjen e Mesme ka vazhduar që nga ofensiva e përbashkët e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt, duke shkaktuar deri më tani mbi 1.340 viktima, përfshirë udhëheqësin e atëhershëm suprem Ali Khamenei.

Irani ka kundërpërgjigjur me sulme të përsëritura me dronë dhe raketa që synojnë Izraelin dhe vendet e Gjirit ku ndodhen asetet ushtarake amerikane. Gjiri i Hormuzit është bllokuar që nga fillimi i marsit. Rreth 20 milionë fuçi nafte kalojnë aty çdo ditë ndërsa ndërprerja ka rritur kostot e transportit dhe çmimet globale të naftës.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.