Bota

Konvoji i Rezistencës së Magrebit pritet me trëndafila në Misrata të Libisë në rrugën për në Gaza

Turma që mbanin flamuj palestinezë dhe libianë u mblodhën në Qendrën Ndërkombëtare të Panairit të qytetit Misrata, duke mbuluar aktivistët tunizianë dhe algjerianë me petale trëndafili dhe duke iu dhuruar lule

Abdulbesar Ademi  | 12.06.2025 - Përdıtësım : 12.06.2025
Konvoji i Rezistencës së Magrebit pritet me trëndafila në Misrata të Libisë në rrugën për në Gaza

Misrata

Konvoji i Rezistencës së Magrebit, i nisur për të ndihmuar në thyerjen e bllokadës izraelite ndaj Gazës, është pritur me trëndafila sapo mbërriti në qytetin Misrata të Libisë, raporton Anadolu.

Turma që mbanin flamuj palestinezë dhe libianë u mblodhën në Qendrën Ndërkombëtare të Panairit të qytetit Misrata, duke mbuluar aktivistët tunizianë dhe algjerianë me petale trëndafili dhe duke iu dhuruar lule.

Udhëheqësit lokalë shprehën mbështetjen e tyre, ndërsa grupet e skautëve të nxënësve të shkollave mbanin pankarta që shkruanin “Liri për Palestinën”, “Qëndroni me Gazën për drejtësi” dhe “Përshëndetje tokës që mban dhimbjen e botës”.

Pritja u shndërrua në një demonstrim solidariteti për Gazën, ndërsa banorët dhe anëtarët e konvojit brohorisnin slogane të tilla si “Jeta dhe gjaku ynë sakrifikohen për ty, Gaza”.

Konvoji, që hyri në Libi përmes qytetit veriperëndimor Zawiya më 10 qershor, përfshin rreth 2 mijë aktivistë nga Tunizia, Algjeria, Maroku dhe Mauritania. Duke kaluar nëpër Tripoli, Tajoura dhe Zliten, konvoji është pritur me ushqime, ujë dhe ëmbëlsira në secilin qytet.

Pasi të mbërrijë në Egjipt, konvojit prej rreth 120 automjetesh dhe 12 autobusësh pritet t’i bashkohen aktivistë të tjerë nga pothuajse 50 vende që po mbërrijnë në Kajro me avion për të mbështetur fushatën.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.