Konvoji i “Rezistencës së Magrebit” në rrugën drejt Gazës mbërrin në Libi
I përbërë nga 12 autobusë dhe rreth 100 makina private, konvoji me më shumë se 1 mijë aktivistë nga vendet e Afrikës së Veriut planifikon të kalojë nga Libia në Egjipt deri të enjten, para se të arrijnë në qytetin Rafah pranë kufirit me Gazën

Zawiya
Konvoji i “Rezistencës së Magrebit”, që mban më shumë se 1 mijë aktivistë që synojnë të thyejnë bllokadën ndaj Gazës, ka mbërritur në qytetin Zawiya, respektivisht në ndalesën e parë të tij në Libi, raporton Anadolu.
Konvoji i përbërë nga aktivistë nga Algjeria, Tunizia, Maroku dhe Mauritania, pas nisjes nga qyteti Zawiya planifikon të vazhdojë në destinacionin e radhës drejt qytetit Misrata.
I përbërë nga 12 autobusë dhe rreth 100 makina private, konvoji me më shumë se 1 mijë aktivistë nga vendet e Afrikës së Veriut u nis të hënën nga kryeqyteti tunizian Tunis drejt territorit të bllokuar palestinez.
Shumë aktivistë nga vende të ndryshme gjithashtu është paralajmëruar se do t’i bashkohen konvojit në kryeqytetin egjiptian Kajro, duke mbërritur nga rrugë tokësore dhe ajrore.
Aktivistët planifikojnë të kalojnë nga Libia në Egjipt deri të enjten, para se të arrijnë në qytetin Rafah pranë kufirit me Gazën.
Konvoji vjen një ditë pasi Izraeli ndaloi një anije ndihmash me flamur britanik që shkonte për në Gaza dhe ndaloi 12 aktivisëtë të huaj në bord.
Derisa Izraeli ka vazhduar mbylljen e kalimeve kufitare të Gazës për ndihma humanitare që nga fillimi i marsit, agjencitë e ndihmës kanë paralajmëruar për rrezikun e urisë midis popullsisë prej 2.4 milionë banorësh të Gazës.
Duke hedhur poshtë thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka ndjekur një ofensivë brutale kundër Gazës që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë të paktën 55 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krimet e luftës kundër civilëve në enklavën palestineze.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.