Kongresi i Perusë zgjedh Jose Maria Balcazarin president të përkohshëm të vendit
Kongresi të martën votoi për shkarkimin e presidentit të përkohshëm Jose Jeri, duke i dhënë fund mandatit të tij të shkurtër prej pak më shumë se katër muajsh mes akuzave për korrupsion
Bogota
Kongresi i Perusë ka zgjedhur ligjvënësin e majtë Jose Maria Balcazar si presidentin e ri të përkohshëm të vendit, një ditë pasi deputetët larguan paraardhësin e tij mes akuzave për korrupsion, transmeton Anadolu.
Balcazar, një ligjvënës 83-vjeçar, mori më shumë vota në një seancë parlamentare në Lima dhe do të shërbejë si kreu i përkohshëm i shtetit deri më 28 korrik, ndërsa Peruja përgatitet për zgjedhjet presidenciale të planifikuara për më vonë këtë vit.
Ai bëhet personi i tetë që mban postin më të lartë shtetëror në Peru gjatë 10 viteve të fundit.
Kongresi të martën votoi për shkarkimin e presidentit të përkohshëm Jose Jeri, duke i dhënë fund mandatit të tij të shkurtër prej pak më shumë se katër muajsh. Ligjvënësit e akuzuan Jerin për mungesë të përshtatshmërisë për të mbikëqyrur tranzicionin drejt zgjedhjeve dhe përmendën disa hetime për korrupsion.
Sipas mediave lokale dhe prokurorëve, Jeri është nën hetim për trafik ndikimi, përfshirë takime të padeklaruara me biznesmenin kinez, Zhihua Yang, kompania e të cilit së fundmi kishte marrë miratim qeveritar për një projekt të madh hidroenergjetik. Jeri ka mohuar çdo shkelje.
Jeri mori presidencën në tetor të vitit të kaluar pas largimit të Dina Boluarte, e cila u shkarkua mes protestave të gjera dhe akuzave për abuzim me pushtetin.
Partitë politike kanë nisur tashmë fushatat përpara zgjedhjeve të korrikut, ndërsa analistët paralajmërojnë se paqëndrueshmëria e vazhdueshme mund të minojë besimin e votuesve dhe të vështirësojë përpjekjet për të adresuar sfidat ekonomike dhe sociale të Perusë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
