Komisioni Evropian: Asnjë vendim për Ukrainën nuk mund të merret pa praninë e Evropës në tryezë
"Si BE dhe shtetet e saj anëtare, ne jemi të gatshëm të kontribuojmë më shumë në bisedimet e paqes dhe garancitë e sigurisë", tha zëdhënësi i Komisionit Evropian
Stamboll
Zëdhënësi i Komisionit Evropian për Punët e Jashtme, Anouar El Anouni, njoftoi se mirëpresin përpjekjet e SHBA-së për t'i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë dhe deklaroi se "asnjë vendim për Ukrainën nuk mund të merret pa Evropën në tryezë", transmeton Anadolu.
El Anouni iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në konferencën e përditshme për shtyp në Bruksel.
Lidhur me bisedimet SHBA-Rusi-Ukrainë të mbajtura në Gjenevë më 17-18 shkurt, El Anouni vuri në dukje se ata i kanë mirëpritur përpjekjet e SHBA-së për negociata, duke thënë se kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë.
El Anouni mbrojti idenë se, ndryshe nga Ukraina, ata nuk kanë parë nga Rusia shenja konkrete paqeje. "Si BE dhe shtetet e saj anëtare, ne jemi të gatshëm të kontribuojmë më shumë në bisedimet e paqes dhe garancitë e sigurisë", shtoi ai.
I pyetur nëse janë apo jo të kënaqur me formatin trepalësh të bisedimeve SHBA-Ukrainë-Rusi, El Anouni u përgjigj se "Asnjë vendim për Ukrainën nuk mund të merret pa Evropën në tryezë. Mendoj se kjo është jashtëzakonisht e qartë".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
