Komentatori konservator amerikan, Charlie Kirk, vritet në një aktivitet në universitet
Presidenti i SHBA-së Donald Trump konfirmoi se Kirk ka humbur jetën pasi u qëllua, duke thënë se ai “nuk është më me ne”.

Washington
Komentatori politik konservator amerikan, Charlie Kirk, u qëllua në mënyrë fatale gjatë një eventi universitar në shtetin perëndimor Utah sot, sipas zyrtarëve dhe videove të dëshmitarëve, transmeton Anadolu.
Pamjet e postuara në mediat sociale tregojnë Kirkun të ulur nën një tendë ndërsa u drejtohej qindra studentëve të mbledhur në “Utah Valley University” kur dëgjohet një e shtënë, ndërsa Kirk bie dhe studentët fillojnë të iknin masivisht.
Një video tjetër e filmuar nga afër vendit ku po fliste Kirk tregon një plumb që godet qafën e Kirkut, ndjekur nga humbje e papritur dhe masive e gjakut.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump konfirmoi se Kirk ka humbur jetën pasi u qëllua, duke thënë se ai “nuk është më me ne”.
“I Madhi, dhe madje Legjendari, Charlie Kirk, ka vdekur. Askush nuk e kuptoi ose nuk e kishte Zemrën e të Rinjve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më mirë se Charlie”, shkroi ai në platformën e tij të mediave sociale “Truth Social”. “Ai ishte i dashur dhe i admiruar nga të gjithë, veçanërisht unë, dhe tani, ai nuk është më me ne”, shtoi ai.
Një flamur në Shtëpinë e Bardhë u ul në gjysmështizë për të nderuar Kirkun.
“Utah Valley University” konfirmoi se asnjë i dyshuar nuk është arrestuar pas të shtënave, të cilat ndodhën rreth orës 12:20 me kohën lokale, pak pasi Kirk filloi të fliste në kampusin në Orem.
“Kampusi u evakuua menjëherë. Kampusi është i mbyllur dhe mësimet janë anuluar deri në një njoftim të mëtejshëm. Ne po u kërkojmë atyre që janë ende në kampus të sigurohen derisa oficerët e policisë të mund t’i shoqërojnë ata në mënyrë të sigurt jashtë kampusit”, tha zëdhënësja Ellen Treanor në një deklaratë.
Treanor tha se të shtënat po hetohen nga Departamenti lokal i Policisë në Orem, policia universitare, FBI-ja dhe Departamenti i Sigurisë Publike në Utah.
Departamenti i Policisë së Oremit tha se nuk ka komente në dispozicion për të shtënat.
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, tha se byroja “po monitoron nga afër raportet e të shtënave tragjike që përfshijnë Charlie Kirkun”.
“Agjentët do të jenë në vendngjarje shpejt dhe FBI-ja mbështet plotësisht reagimin dhe hetimin në vazhdim”, shkroi Patel në rrjetin social amerikan X pas incidentit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.