Bota

Kombet evropiane dënojnë legjislacionin izraelit që bllokon ujin dhe energjinë elektrike për objektet e UNRWA-s

Deklarata i bën thirrje Izraelit të sigurojë që OJQ-të ndërkombëtare të themeluara "të vazhdojnë të lejohen të veprojnë në Gaza dhe që çdo çregjistrim të ndalet"

Burak Bir  | 05.01.2026 - Përdıtësım : 05.01.2026
Kombet evropiane dënojnë legjislacionin izraelit që bllokon ujin dhe energjinë elektrike për objektet e UNRWA-s

Londër

Shtatë vende evropiane të hënën dënuan legjislacionin izraelit që përfshin masa për të ndërprerë ujin, energjinë elektrike dhe komunikimet në objektet e drejtuara nga agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), transmeton Anadolu.

"Veprime të tilla minojnë mandatin e OKB-së, shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe bien ndesh me gjetjet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ndërsa sjellin gjithashtu pasoja të rënda humanitare për popullsinë civile dhe refugjatët palestinezë", thuhet në një deklaratë të përbashkët nga Islanda, Irlanda, Luksemburgu, Malta, Norvegjia, Sllovenia dhe Spanja.

Deklarata i bën thirrje Izraelit të sigurojë që OJQ-të ndërkombëtare të themeluara "të vazhdojnë të lejohen të veprojnë në Gaza dhe që çdo çregjistrim të ndalet".

Ajo vë në dukje se puna e OKB-së, në veçanti e UNRWA-s së bashku me organizatat dhe OJQ-të e tjera humanitare, është "thelbësore" për t'u përballur me situatën katastrofike humanitare në Gaza.

"Ne nënvizojmë detyrimin për të siguruar akses të plotë, të sigurt dhe të papenguar humanitar dhe për të mundësuar funksionimin e vazhdueshëm të operacioneve humanitare të OKB-së dhe partnerëve të tyre, në përputhje me DNH-në (E Drejta Ndërkombëtare Humanitar) dhe detyrimet ligjore ndërkombëtare përkatëse", thuhet në deklaratë.

"Respektimi i privilegjeve dhe imuniteteve të Kombeve të Bashkuara dhe i ligjit ndërkombëtar humanitar është i domosdoshëm" shtohet më tej në deklaratë.

Javën e kaluar, parlamenti i Izraelit miratoi ndryshimet në Ligjin për Ndërprerjen e Operacioneve të UNRWA-s, duke bllokuar sigurimin e energjisë elektrike dhe ujit për objektet e UNRWA-së.

Më 29 shtator 2025, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi një plan 20-pikësh për t'i dhënë fund luftës në Gaza, duke përfshirë një armëpushim, lirimin e pengjeve izraelite, çarmatimin e Hamasit, një tërheqje izraelite nga enklava, formimin e një administrate teknokratike dhe vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizimi.

Faza e parë e marrëveshjes hyri në fuqi më 10 tetor 2025, por Izraeli ka vazhduar të shkelë disa nga dispozitat e saj dhe ka vonuar kalimin në fazën e dytë.

Që kur marrëveshja e armëpushimit hyri në fuqi më 10 tetor, Ushtria izraelite ka kryer qindra shkelje, duke vrarë 420 palestinezë dhe duke plagosur 1.184 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

Armëpushimi i dha fund luftës dyvjeçare të Izraelit që vrau gati 71.400 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, plagosi më shumë se 171.200 të tjerë dhe e la enklavën në rrënoja.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın