Kolonët e paligjshëm izraelitë i vunë flakën automjeteve palestineze në Bregun Perëndimor
Kolonët, nën mbrojtjen e ushtrisë, sulmuan fshatin dhe dogjën disa automjete të parkuara në oborrin e një punishteje riparimi që i përkiste një burri palestinez

Bethlehem
Kolonët e paligjshëm izraelitë i vunë flakën automjeteve në pronësi të palestinezëve në fshatin al-Jaba pranë qytetit Bethlehem, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, kolonët sulmuan fshatin dhe dogjën disa automjete të parkuara në oborrin e një punishteje riparimi që i përkiste një burri palestinez, Ali Ahmed al-Tus.
Ndërkohë, dëshmitarët okularë thanë se kolonët e paligjshëm izraelitë, nën mbrojtjen e ushtrisë, sulmuan fermerët palestinezë teksa korrnin pemë ulliri në Ramallah dhe Nablus dhe dogjën dy automjete.
Sipas të dhënave nga Komisioni i Kolonizimit dhe Rezistencës ndaj Murit, kolonët e paligjshëm izraelitë kryen 7.154 sulme ndaj palestinezëve dhe pronave të tyre në Bregun Perëndimor të pushtuar gjatë dy viteve, të cilat rezultuan në vdekjen e 34 palestinezëve dhe migrimin e detyruar të 33 komuniteteve beduine.
Autoritetet lokale thanë se që nga fillimi i luftës në Gaza dy vjet më parë, më shumë se 1.051 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor, rreth 10.300 janë plagosur dhe mbi 20 mijë janë arrestuar, përfshirë 1.600 fëmijë.
Në një vendim historik korrikun e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.