Bota

Koalicioni për Lirinë e Medias kërkon nga Izraeli t'u lejojë gazetarëve të huaj qasjen në Gaza

Në një deklaratë të përbashkët, 26 vende i kërkuan Izraelit të "lejojë qasje të menjëhershme të mediave të pavarura të huaja dhe të ofrojë mbrojtje për gazetarët që veprojnë në Gaza"

Necva Taştan Sevinç  | 21.08.2025 - Përdıtësım : 21.08.2025
Koalicioni për Lirinë e Medias kërkon nga Izraeli t'u lejojë gazetarëve të huaj qasjen në Gaza

Stamboll

Anëtarët e Koalicionit për Lirinë e Medias i kanë bërë thirrje Izraelit që t'u ofrojë gazetarëve të pavarur të huaj qasje të menjëhershme në Gaza, duke përmendur situatën humanitare në përkeqësim dhe shqetësimet në rritje për lirinë e shtypit, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të përbashkët, 26 vende, përfshirë Australinë, Gjermaninë, Japoninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe disa vende anëtare të Bashkimit Evropian (BE), i kërkuan Izraelit të "lejojë qasje të menjëhershme të mediave të pavarura të huaja dhe të ofrojë mbrojtje për gazetarët që veprojnë në Gaza".

Koalicioni theksoi se gazetarët luajnë rol të rëndësishëm në dokumentimin e kushteve të kohës së luftës.

"Qasja në zonat e konfliktit është jetike për të kryer këtë rol në mënyrë efektive. Ne kundërshtojmë të gjitha përpjekjet për të kufizuar lirinë e shtypit dhe për të bllokuar hyrjen e gazetarëve gjatë konflikteve", theksoi koalicioni.

Koalicioni gjithashtu dënoi dhunën kundër gazetarëve, duke theksuar "numrin jashtëzakonisht të lartë të vdekjeve, arrestimeve dhe ndalimeve" që nga fillimi i luftës në Gaza.

"Vënia e qëllimshme e gazetarëve në shënjestër është e papranueshme", thuhet në deklaratë duke shtuar se ligji ndërkombëtar humanitar mbron gazetarët civilë gjatë konfliktit të armatosur.

Koalicioni u bëri thirrje autoriteteve izraelite dhe "të gjitha palëve të tjera" të sigurojnë që gazetarët vendas dhe të huaj në Gaza, Izrael, Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor të mund të punojnë lirisht dhe në mënyrë të sigurt.

Më tej, ai kërkoi hetime për sulmet ndaj gazetarëve dhe llogaridhënie për ata që janë përgjegjës "në përputhje me ligjin kombëtar dhe atë ndërkombëtar". Përtej lirisë së shtypit, deklarata përsëriti thirrjet për një armëpushim të menjëhershëm, lirim pa kushte të pengjeve të mbetura dhe qasje të pakufizuar humanitare në Gaza.

Grupi gjithashtu përsëriti mbështetjen për një zgjidhje me dy shtete për të siguruar "paqe dhe siguri afatgjate".

Izraeli ka vrarë të paktën 62.200 palestinezë në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023 dhe fushata ushtarake izraelite ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet me uri.

Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhërarreste ndaj kryeministrit izrelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.