Bota

"Kjo nuk është shkollë", thotë vajza nga Gaza, teksa vijon mësimin në ndërtesën e shkatërruar

"Nuk ka karrige, nuk ka dërrasa të zeza. Ne madje kemi sjellë me vete edhe sexhadet për t'u ulur, dhe ato mezi mjaftonin. Nuk ka materiale mësimore në dispozicion për të na ndihmuar në mësimet tona", tha nxënësja Latifa

Abdula Berisha  | 25.02.2025 - Përdıtësım : 26.02.2025
"Kjo nuk është shkollë", thotë vajza nga Gaza, teksa vijon mësimin në ndërtesën e shkatërruar

Gaza

Nxënësit dhe studentët në Gaza janë rikthyer në klasat e tyre për të rifilluar me procesin edukativo-arsimor në shkollat ​​që u përdorën si strehimore gjatë luftës gjenocidale izraelite në Gaza që zgjati për 16 muaj, raporton Anadolu.

Megjithatë, shkollat ​​po përballen me mungesa të mëdha në mjete bazike arsimore. Pa tavolina apo banka në klasa, nxënësit detyrohen të ulen në dysheme për të ndjekur mësimet.

"Ky vend nuk mund të quhet shkollë", tha nxënësja nga Gaza, Latifa Mahmoud Hasan Abu Sherbin, duke përshkruar kushtet e vështira me të cilat përballen në ndërtesën e shkatërruar të shkollës.

"Nuk ka karrige, nuk ka dërrasa të zeza. Ne madje kemi sjellë me vete edhe sexhadet për t'u ulur, dhe ato mezi mjaftonin. Nuk ka materiale mësimore në dispozicion për të na ndihmuar në mësimet tona", tha Latifa.

Pavarësisht rrethanave kritike dhe sfiduese, ajo theksoi se janë të vendosur të vazhdojnë shkollimin. "Aspiratat tona ishin shumë më të larta se kjo. Ne synuam të ishim nxënësit më të mirë në Gaza, madje edhe në të gjithë vendin", theksoi ajo.

Shkollat ​​u rihapën në Gaza të dielën, më 23 shkurt, pasi ishin mbyllur për rreth një vit e gjysmë për shkak të luftës.

Në deklaratën e Ministrisë së Arsimit thuhet se nxënësit do të ndjekin mësimin "në shkollat ​​që ende qëndrojnë në këmbë, janë rinovuar dhe pajisur, ose përmes shkollave alternative dhe pikave arsimore që janë krijuar në shumë zona".

Ministria tha se synon të ofrojë mësim online për nxënësit që nuk janë në gjendje të vijnë në shkollë, ​​"për t'u siguruar që ata të vazhdojnë arsimin e tyre". Ministria gjithashtu u bëri thirrje organizatave të të drejtave të njeriut që të bëjnë presion ndaj Izraelit që të lejojë hyrjen e materialeve të nevojshme për procesin arsimor në Gaza.

Sipas të dhënave palestineze, 85 për qind e shkollave në Gaza janë bërë jofunksionale nga bombardimet izraelite.

Zyra e medias e qeverisë së Gazës tha se të paktën 12.800 nxënës dhe 800 mësues dhe staf administrativ u vranë, ndërsa 1.166 institucione arsimore u shkatërruan në luftën izraelite që nga tetori i vitit 2023, duke vlerësuar dëmin në sektorin e arsimit në mbi 2 miliardë dollarë.

Një marrëveshje armëpushimi hyri në fuqi në Gaza më 19 janar, duke ndalur luftën gjenocidale të Izraelit, që ka vrarë më shumë se 48.300 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, duke e lënë enklavën në gërmadha.

Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi ​​urdhërarreste në nëntor për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për fushatën e tij ushtarake.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.