Bota

Kina: T'u jepet fund trazirave dhe të rivendoset rendi në Hong Kong

Zyra e ndërlidhjes e Pekinit tha se me vendosmëri mbështet qeverinë e Hong Kongut në miratimin e çdo mase të nevojshme për t’u dhënë fund trazirave dhe për të rivendosur rendin sa më shpejtë të jetë e mundur

Riyaz ul Khaliq  | 13.11.2019 - Përdıtësım : 14.11.2019
Kina: T'u jepet fund trazirave dhe të rivendoset rendi në Hong Kong

Ankara

Kina ka kërkuar nga administrata e Hong Kongut që të merret me protestuesit në mënyrë që të rivendoset jeta normale në qendrën financiare globale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Mediat lokale raportojnë se jeta normale pengohet për të tretën ditë radhazi pasi shërbimet e transportit u pezulluan.

Duke cituar një deklaratë të lëshuar nga zyra e ndërlidhjes e Pekinit me Hong Kongun, "South China Morning Post" tha se patjetër nevojitet një “goditje e ashpër” për t’u dhënë fund trazirave dhe për të rivendosur rendin në Hong Kong.

“Qyteti po rrëshqet në humnerën e terrorizmit”, thuhet në deklaratë.

Një protestues u plagos të hënën në mëngjes kur u qëllua nga një distancë e afërt nga një oficer i policisë.

Duke kundërshtuar ndalimin e përdorimit të maskave të fytyrës, studentët bojkotuan mësimet dhe vendosën maskat në shenjë proteste.

Shefja ekzekutive e Hong Kongut, Carrie Lam kritikoi protestuesit dhe i përshkroi ata si “jashtëzakonisht egoistë” për përpjekjet për të paralizuar qendrën financiare të biznesit.

Zyra e ndërlidhjes e Pekinit tha se me vendosmëri mbështet qeverinë e Hong Kongut në miratimin e çdo mase të nevojshme për t’u dhënë fund trazirave dhe për të rivendosur rendin sa më shpejtë të jetë e mundur. Zyra kërkoi nga administrata të arrestojë kriminelët dhe të ndëshkojë ashpër veprimet e tyre të dhunshme.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.