Kina pretendon se me "masa të rrepta" ka mbajtur nën 100 mijë numrin total të rasteve me COVID-19
"Kemi më pak se 100 mijë raste të konfirmuara të COVID-19 deri më tani. Kemi administruar 2.2 miliardë doza të vaksinës kundër COVID-19", tha këshilltari kinez për shëndetin publik, Yong

Gjenevë
Këshilltari kinez për shëndetin publik, Feng Yong pretendon se me masat e shëndetit publik që kanë marrë dhe administrimin e mbi 2.2 miliardë dozave të vaksinës kundër COVID-19 kanë mundur që të mbajnë nën 100 mijë numrin total të rasteve me COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).
COVID-19, i cili për herë të parë u shfaq në fund të vitit 2019 në qytetin Wuhan të Kinës, deri më tani ka prekur mbi 239 milionë e 126 mijë njerëz.
Sipas shifrave zyrtare, numri i të vdekurve me burim COVID-19 ka arritur në 4.9 milionë. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) pohon se numri i viktimave është shumë më i lartë se ai i njoftuar.
Numri total i rasteve në Kinë, ku u shfaq fillimisht virusi, është vetëm 96.457 ndërsa i atyre të vdekurve 4.636, gjë që ngre pikëpyetje në botë.
Përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, ambasadori Chen Xu dhe zyrtarët shoqërues, iu përgjigjën pyetjeve në konferencën për media të organizuar nga Shoqata e Anëtarëve të Medias të Akredituar në Zyrën e OKB-së në Gjenevë (ACANU) në mënyrë online.
Kur gazetari i AA-së tërhoqi vëmendjen se madje edhe në ishujt më të vegjël të botës ka më shumë raste të COVID-19 duke marrë parasysh popullsinë e Kinës dhe pyeti se si ka ndodhur kjo, ambasadori Xu i dha fjalën këshilltarit Feng Yong.
"Zbatuam masat më të rrepta"
"Që nga shpërthimi i COVID-19, qeveria kineze i ka dhënë përparësi njerëzve dhe jetës njerëzore. Ne kemi zbatuar masat më të rrepta dhe gjithëpërfshirëse të shëndetit publik për të parandaluar dhe kontrolluar pandeminë", tha Yong duke iu përgjigjur pyetjes.
Ai pretendon se masat e shëndetit publik dhe vaksinat kontribuan në faktin se numri i rasteve dhe vdekjeve në vend është shumë nën mesataren botërore. "Kemi më pak se 100 mijë raste të konfirmuara të COVID-19 deri më tani. Kemi administruar 2.2 miliardë doza të vaksinës kundër COVID-19", u shpreh ai.
Yong thekson se kanë monitoruar dhe kanë zbatuar karantina për të parandaluar përsëritjen e rasteve brenda vendit dhe për të mbajtur nën kontroll pandeminë. "Kemi qenë shumë, shumë të suksesshëm deri më tani. Unë mendoj se këto janë gjërat më të rëndësishme për suksesin tonë në parandalimin dhe kontrollimin e COVID-19", shtoi Yong.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.