Kina mirëpret "të gjitha përpjekjet" për paqe në Gaza
Komentet e Kinës erdhën pasi presidenti amerikan Trump paraqiti të hënën pikat kryesore të planit të tij për armëpushim në Gaza gjatë një konference në Washington me kryeministrin izraelit

Stamboll
Kina deklaroi sot se mirëpret dhe mbështet "të gjitha përpjekjet" për t'i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës dhe për të zgjidhur situatën mes Palestinës dhe Izraelit, transmeton Anadolu.
"Kina mirëpret dhe mbështet të gjitha përpjekjet që kontribuojnë në uljen e tensioneve mes Palestinës dhe Izraelit", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Guo Jiakun, në një konferencë për media në Pekin.
"Pekini u bën thirrje palëve përkatëse të zbatojnë rezolutat përkatëse të OKB-së, të arrijnë një armëpushim të plotë në Gaza dhe të lirojnë menjëherë të gjithë personat e robëruar", shtoi Guo Jiakun.
Këto komente erdhën pasi presidenti amerikan Donald Trump paraqiti të hënën pikat kryesore të planit të tij për armëpushim në Gaza gjatë një konference për media në Washington me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Propozimi përfshin lirimin e robërve izraelitë dhe çarmatosjen e grupit palestinez Hamas.
"Kina mbron parimin që Palestina të qeveriset nga palestinezët, sipas zgjidhjes me dy shtete", tha Guo, duke bërë thirrje për lehtësimin sa më shpejt të krizës humanitare në Gaza.
"Ne qëndrojmë përkrah pjesës tjetër të botës dhe po bëjmë përpjekje të pandërprera për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme të çështjes palestineze sa më shpejt që të jetë e mundur", shtoi ai.