Kina kërkon armëpushim “të menjëhershëm” në Lindjen e Mesme: Kjo nuk duhej të kishte ndodhur kurrë
"Kjo është një luftë që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë dhe që nuk i sjell dobi askujt. Përdorimi i forcës nuk është mënyra për të zgjidhur problemet dhe përdorimi i armëve vetëm do të krijojë urrejtje të reja”, tha Wang
Stamboll
Ministri i Punëve të Jashtme i Kinës, Wang Yi, ka kërkuar një “ndalim të menjëhershëm të operacioneve ushtarake” në Lindjen e Mesme për të parandaluar përshkallëzimin dhe përhapjen e konfliktit, pas ofensivës SHBA-Izrael kundër Iranit dhe sulmeve hakmarrëse të Teheranit, transmeton Anadolu.
“Kjo është një luftë që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë dhe që nuk i sjell dobi askujt”, tha Wang gjatë një konference vjetore për media mbi politikën e jashtme në Pekin.
“Përdorimi i forcës nuk është mënyra për të zgjidhur problemet dhe përdorimi i armëve vetëm do të krijojë urrejtje të reja”, shtoi ai.
Duke iu referuar konfliktit tjetër në Lindjen e Mesme, sipas agjencisë shtetërore Xinhua News, Wang tha se zgjidhja me dy shtete është mënyra e vetme “e drejtë dhe e pranuar gjerësisht” për të zgjidhur çështjen palestineze.
Duke bërë thirrje për “bashkëjetesë multipolare”, Wang tha se Kina dhe SHBA-ja duhet të ruajnë respektin e ndërsjellë dhe të mbajnë vijën minimale të bashkëjetesës paqësore.
Ai po ashtu tha se marrëdhëniet Kinë-Rusi mbeten “të qëndrueshme si shkëmbi”, pavarësisht “provës së erërave dhe shirave”.
“Kina do të punojë për ta kthyer vizionin dhe planin për ndërtimin e një komuniteti të Azisë-Paqësorit në veprime konkrete dhe realitet”, tha ai.
Ai gjithashtu tha se forcimi i sistemit të mbrojtjes së sigurisë për shtetasit dhe interesat kineze jashtë vendit është një synim i vazhdueshëm i shërbimit diplomatik kinez në epokën e re.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
