Kina kritikon planin e Trumpit për të rimarrë bazën ajrore "Bagram" në Afganistan
"Rritja e tensioneve dhe krijimi i konfrontimeve në rajon është në kundërshtim me aspiratat e njerëzve", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian
Ankara
Kina reagoi fuqishëm ndaj planit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të rimarrë kontrollin e bazës ajrore "Bagram" në Afganistan dhe tha se "rritja e tensioneve dhe krijimi i konfrontimeve" në rajon është në kundërshtim me aspiratat e popullit, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian tha se e ardhmja e vendit duhet të vendoset nga populli afgan, sipas gazetës shtetërore "Global Times".
"Kina respekton pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Afganistanit dhe se e ardhmja e vendit duhet të vendoset nga populli afgan", tha ai.
"Rritja e tensioneve dhe krijimi i konfrontimeve në rajon është në kundërshtim me aspiratat e njerëzve", tha Lin duke shtuar se Kina shpreson që të gjitha palët do të luajnë rol konstruktiv në promovimin e paqes dhe stabilitetit rajonal.
Të enjten, Trump tha se administrata e tij po përpiqet të sigurojë kthimin e bazës ajrore të "Bagram"-it nga talebanët, megjithëse detajet specifike mbi negociatat deri më tani sekrete mbeten të pakta.
Trump tha se një pjesë e motivimit të tij në përpjekjen për të rimarrë objektin është për shkak të afërsisë së tij me një vend aty pranë ku Kina prodhon armë bërthamore, duke u ankuar që kontrolli i SHBA-së mbi "Bagram"-in nuk u ruajt gjatë tërheqjes amerikane nën ish-presidentin Joe Biden.
Edhe pse administrata e përkohshme ende nuk i është përgjigjur zyrtarisht pretendimeve të Trumpit, Zakir Jalaly, një zyrtar i talebanëve, tha se afganët nuk kanë pranuar një prani ushtarake në histori dhe kthimi i bazës ajrore të "Bagram"-it u refuzua gjatë bisedimeve në Doha të Katarit.
"Prania ushtarake nuk është pranuar historikisht nga afganët dhe kjo mundësi u refuzua plotësisht gjatë bisedimeve dhe marrëveshjes së Dohas", shkroi ai në llogarinë e kompanisë amerikane të mediave sociale X.
Jalaly thekson se Washingtoni duhet të bashkëveprojë me Afganistanin dhe se të dy vendet kanë marrëdhënie ekonomike dhe politike të bazuara në respekt të ndërsjellë dhe interesa të përbashkëta, pavarësisht nëse SHBA-ja ka prani ushtarake në ndonjë pjesë të Afganistanit.
