Bota

Kina do të vazhdojë komunikimin me SHBA-në për vizitën e presidentit Trump

Trump tha se po riprogramon udhëtimin dhe pret që ai të zhvillohet brenda rreth pesë javësh për shkak të luftës izraelito-amerikane ndaj Iranit

Riyaz Khaliq Khaliq, Sidrah Gufran Roghay  | 18.03.2026 - Përdıtësım : 18.03.2026
Kina do të vazhdojë komunikimin me SHBA-në për vizitën e presidentit Trump

Kina ka bërë të ditur se është në komunikim me zyrtarët amerikanë lidhur me një vizitë të planifikuar të presidentit amerikan, Donald Trump, transmeton Anadolu.

"Diplomacia në nivel krerësh shtetesh luan rol të pazëvendësueshëm në ofrimin e udhëzimit strategjik për marrëdhëniet Kinë-SHBA", u tha gazetarëve në Pekin zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Lin Jian.

Lin tha se "të dy palët do të vazhdojnë komunikimin lidhur me vizitën e presidentit Trump në Kinë", pa dhënë detaje të tjera. Dje, Trump tha se po riprogramon udhëtimin dhe pret që ai të zhvillohet brenda rreth pesë javësh.

"Po punojmë me Kinën", u tha ai gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se pret me padurim takimin me presidentin kinez, Xi Jinping.

"Ai pret të më takojë, besoj", tha Trump duke i përshkruar marrëdhëniet dypalëshe si shumë të mira në aspektin ekonomik. Më herët, duke folur për vizitën në Kinë, Trump ka thënë: "Do të doja shumë, por për shkak të luftës dua të jem këtu. Duhet të jem këtu, kështu ndihem".

Më herët, Shtëpia e Bardhë njoftoi se Trump do të udhëtojë në Kinë për një vizitë 3-ditore duke filluar nga 31 marsi. Shtyrja e vizitës vjen në një kohë kur konflikti i armatosur në Lindjen e Mesme vazhdon.

Tensionet në rajon janë përshkallëzuar që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën ofensivë të përbashkët kundër Iranit më 28 shkurt, duke vrarë deri tani rreth 1.300 persona, përfshirë liderin suprem të atëhershëm, Ajatollah Ali Khamenei.

Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, si dhe Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit, për të cilat thotë se po godet "asetet ushtarake amerikane", duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë si dhe duke ndikuar në tregjet globale dhe aviacionin.

Teherani ka mbyllur praktikisht Ngushticën e Hormuzit që nga 1 marsi, duke e shtyrë Trumpin të bëjë thirrje ndaj aleatëve të SHBA-së si dhe ndaj Kinës, për të ndihmuar në rihapjen e kësaj rruge ujore strategjike.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın