Kina bën thirrje për zbatimin "efektiv" të armëpushimit në Gaza
Kina shpreson që marrëveshja e armëpushimit në Gaza "do të zbatohet në mënyrë efektive, që kriza humanitare të lehtësohet vërtet dhe që paqja dhe stabiliteti në rajon të rivendosen sa më shpejt të jetë e mundur"
Stamboll
Kina bëri thirrje të enjten për zbatimin “efektiv” të armëpushimit në Gaza, ndërsa Izraeli vazhdon sulmin e tij gjenocidal në enklavën bregdetare palestineze, transmeton Anadolu.
"Situata në Gaza është shumë e brishtë”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lin Jian, në një konferencë për shtyp në Pekin.
Ai iu përgjigj pyetjeve mbi sulmet e fundit izraelite në Rripin e Gazës, në një shkelje të re të marrëveshjes së armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor.
Sulmet erdhën menjëherë pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, kërcënoi të "përgjigjej në përputhje me rrethanat" ndaj lëndimit të ushtarëve në përleshjet me luftëtarët palestinezë në Rafah.
Kina shpreson që marrëveshja e armëpushimit në Gaza "do të zbatohet në mënyrë efektive, që kriza humanitare të lehtësohet vërtet dhe që paqja dhe stabiliteti në rajon të rivendosen sa më shpejt të jetë e mundur", tha zëdhënësi Lin, sipas të përditshmes "Global Times" me qendër në Pekin.
Faza e parë e marrëveshjes së armëpushimit përfshin lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë. Plani gjithashtu parashikon rindërtimin e Gazës dhe krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës pa Hamasin.
Izraeli ka vrarë më shumë se 70.000 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur gati 171.000 të tjerë në sulmet në Gaza që nga tetori i vitit 2023.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
