Bota

Kiev, kryebashkiaku u bën thirrje banorëve që të përgatiten për ndërprerje të energjisë deri në pranverë

Lidhur me spekulimet se ka plane për të evakuuar Kievin për shkak të sulmeve ruse, Klitschko tha se do të ishte një “gabim i madh” nëse banorët nuk përgatiten për skenarë të ndryshëm

Burç Eruygur  | 28.11.2022 - Përdıtësım : 29.11.2022
Kiev, kryebashkiaku u bën thirrje banorëve që të përgatiten për ndërprerje të energjisë deri në pranverë Foto: AA/Arkiv

Istanbul

Kryebashkiaku i kryeqytetit Kiev, Vitali Klitschko, u ka bërë thirrje banorëve të kryeqytetit ukrainas që të përgatiten për ndërprerje të energjisë elektrike deri në pranverë, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne po përpiqemi sa më parë të restaurojmë gjithçka të mundur, të kalojmë në orare të qarta që të mos ketë supriza dhe më pas të kalojmë në furnizim të pandërprerë me energji elektrike. Por ne duhet të jemi të përgatitur për faktin se mund të ketë ndërprerje para pranverës”, tha Klitschko për agjencinë ukrainase të lajmeve ‘RBK’.

Klitschko tha se çështjet që lidhen me energjinë elektrike gjithashtu lidhen me motin e ftohtë, pasi shumë njerëz konsumojnë më shumë energji elektrike përmes pajisjeve të ngrohjes, me këtë duke shkaktuar një ngarkesë më të madhe në sistemin energjetik të vendit.

Lidhur me spekulimet se ka plane për të evakuuar Kievin për shkak të sulmeve ruse, Klitschko tha se do të ishte një “gabim i madh” nëse banorët nuk përgatiten për skenarë të ndryshëm.

“Nëse një vit më parë, këtë herë në dhjetor, dikush do të kishte filluar të flasë për atë që do të ndodhte në të ardhmen, për njerëzit që do të vriteshin, për luftën, për përdhunimet, për gjenocidin, ai nuk do të quhej një person i shëndosh. Por sot, për fat të keq, ky është një realitet i tmerrshëm, i ashpër. Ne nuk duam të mbajmë askënd në një dush të ngrohtë, por nuk duam as t’i trembim ata”, tha Klitschko.

Ai shtoi se nuk do të ketë një evakuim të plotë të qytetit, por nuk përjashtoi mundësinë e një evakuimi të pjesshëm.

“Kjo është zhvendosje e përkohshme e disa kategorive të njerëzve në periferi, ku shërbimet mund të jenë të disponueshme”, theksoi ai, duke iu përgjigjur me një “jo” pyetjes mbi zhvendosjet e mundshme në rajone të tjera ose jashtë vendit.

Klitschko tha se “dëshira” dhe qëllimi i presidentit rus, Vladimir Putin, është të shkatërrojë sistemin energjetik të Ukrainës.

“Për të (Putin-in), skenari më i mirë do të ishte që ne të gjithë të marrim çantat tona dhe të shkojmë diku, të largohemi nga vendi, të shkojmë në Perëndim dhe ai të hyjë pa pengesa në shtëpitë tona dhe të marrë vendet tona. Kjo është ëndrra e tij”, tha Klitschko.

Siç tha ai, ekziston mundësia që Rusia të përpiqet të marrë Kievin pasi ky qytet është “zemra e vendit. Ai shtoi se marrja e Kievit “ishte dhe mbetet objektivi i agresorit”.

“Me të vërtetë shpresoj dhe po bëjmë gjithçka që të festojmë Vitin e Ri të ardhshëm në një Ukrainë paqësore të çliruar nga agresori”, tha Klitschko.

40 për qind e rajonit të Kievit pa energji elektrike

Më vonë, guvernatori i rajonit të Kievit, Oleksiy Kuleba, njoftoi se 40 për qind e rajonit të Kievit aktualisht është pa energji elektrike.

“Sipas vendimit të Ukrenergo-s (kompania kombëtare e energjisë), ndërprerjet emergjente të furnizimit me energji elektrike vazhdojnë në rajonin e Kievit. Rreth 40 për qind e rajonit aktualisht është pa energji elektrike. këto janë pasojat e një sulmi masiv me raketa që ndodhi javëne kaluar”, tha Kuleba në një postim në Telegram.

Kuleba gjithashtu tha se ndërprerjet e linjës dhe mbylljet emergjente u regjistruan në rajonin e Kivit për shkak të motit të keq dhe akullit.

“Punonjësit e energjisë punojnë pa pushim dhe po bëjnë gjithçka për të rivendosur energjinë elektrike dhe për t’u kthyer në mbylljet e planifikuara me një orar”, theksoi Kuleba, duke shtuar se 278 “pika të pamposhtësisë” janë duke funksionuar aktualisht në rajonin e Keivit.

Deklarata e tij vjen pasi kompania Ukrenergo, e cila akoma po përballet me dëme të mëdha në infrastrukturën e saj, të dielën njoftoi frenimin e konsumit të energjisë në mbarë vendin.

Gjatë javës së kaluar, sulmet ruse kanë goditur infrastrukturën në rajone të shumta, duke përfshirë kryeqytetin Kiev, me kompaninë Ukrenergo, si përgjigje, që njoftoi mbyllje emergjente në të gjitha rajonet për të “mbrojtur rrjetet e energjisë nga aksidentet shtesë teknologjike dhe për të mbështetur funksionimin e sistemit energjetik”.

Për të ofruar shërbime bazë gjatë ndërprerjeve të energjisë elektrike të shkaktuara nga sulmet ruse, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, javën e kaluar njoftoi se "pikat e pamposhtësisë" janë vendosur në të gjithë vendin "duke siguruar ngrohje, energji elektrike dhe komunikim".

Që nga fillimi i luftës Moskë-Kiev në muajin shkurt, infrastruktura energjetike e Ukrainës ka qenë objektivi i sulmeve ajrore ruse që u rritën pas një shpërthimi më 8 tetor që dëmtoi urën kyçe të Kërçit në Gadishullin e Krimesë, të cilën Rusia e aneksoi ilegalisht në vitin 2014.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.