Khamenei: Irani është i aftë t'u japë “goditje edhe më të forta” SHBA-së dhe Izraelit
Lideri Suprem Ajatollah Ali Khamenei tha se SHBA-ja dhe Izraeli synuan të dobësojnë udhëheqjen e Iranit duke vrarë figura kyçe.

Stamboll
TEHERAN/STAMBOLL (AA) – Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, tha se vendi i tij është i aftë t’u japë “goditje edhe më të forta” SHBA-së dhe Izraelit në përgjigje të çdo sulmi tjetër ushtarak, raporton Anadolu.
Duke folur gjatë një takimi me zyrtarë gjyqësorë nga i gjithë Irani, Khamenei tha se Washingtoni dhe Tel Avivi synuan të dobësojnë udhëheqjen e Iranit duke vrarë figura kyç dhe duke destabilizuar vendin përmes grupeve të opozitës dhe qelizave të fjetura.
“Por qëndrimi i mbajtur nga populli iranian nga të gjitha sferat e jetës i ka penguar këto plane”, tha ai.
“Zoti i prishi skemat e tyre dhe populli u ngrit për të mbrojtur vendin”, tha Khamenei, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së unitetit kombëtar.
Udhëheqësi iranian tha se Izraeli u detyrua të kërkonte ndihmën e SHBA-së pas përgjigjes së vendosur të Iranit ndaj sulmeve të fundit.
“Nëse regjimi sionist (Izraeli) do të ishte i aftë të mbronte veten, nuk do t’i ishte drejtuar SHBA-së në këtë mënyrë, por e kuptoi se nuk mund t’i rezistojë Iranit”, tha ai.
“Sigurisht, që tani e tutje, goditje edhe më të mëdha mund t’u jepen SHBA-së dhe të tjerëve”, shtoi Khamenei.
Ai gjithashtu përmendi sulmin me raketa të Iranit në Bazën Ajrore amerikane Al-Udeid në Katar si shembull të vendosmërisë së Teheranit.
“Baza e sulmuar nga Irani ishte një bazë rajonale amerikane jashtëzakonisht e ndjeshme”, tha ai.
Më 13 qershor, Izraeli, me mbështetjen e SHBA-së, nisi një ofensivë 12-ditore ndaj Iranit, duke shënjestruar objekte ushtarake, bërthamore dhe civile, si dhe komandantë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë.
Irani u hakmor me sulme me raketa dhe dronë ndaj objekteve ushtarake dhe të inteligjencës izraelite. Një armëpushim i ndërmjetësuar nga SHBA-ja midis Teheranit dhe Tel Avivit u njoftua më 24 qershor.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.