Bota

Kenia, të paktën 1 i vrarë dhe 17 të plagosur në protestat në përvjetorin e trazirave të vitit 2024

Mijëra njerëz dolën në rrugë për të shënuar përvjetorin e parë të demonstratave dramatike të mbajtura më 25 qershor të vitit të kaluar, të cilat çuan në bastisjen e parlamentit, të shtëna me armë nga policia dhe mbi 60 vdekje

Mevlüt Özkan  | 25.06.2025 - Përdıtësım : 25.06.2025
Kenia, të paktën 1 i vrarë dhe 17 të plagosur në protestat në përvjetorin e trazirave të vitit 2024

Stamboll

Të paktën një person është vrarë dhe 17 të tjerë janë plagosur në Kenia gjatë protestave mbarëkombëtare për të shënuar përvjetorin e protestave vdekjeprurëse të vitit 2024 kundër taksave, transmeton Anadolu.

Sipas mediave lokale, të paktën 10 persona, përfshirë një oficere e policisë që pësoi lëndime në kokë, u sollën në Spitalin Kombëtar Kenyatta në kryeqytetin Nairobi.

Në qarkun Machakos, një individ u vra nga të shtënat me armë zjarri dhe të paktën shtatë të tjerë u dërguan në spital në qytetin Matuu me plagë nga të shtënat me armë zjarri

Policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit.

Autoriteti i Komunikimit i Kenias urdhëroi të gjitha stacionet televizive të ndalojnë transmetimin e drejtpërdrejtë të protestave, duke paralajmëruar për “veprime rregullatore” në rast të refuzimit për t’iu përmbajtur direktivës.

Mijëra njerëz dolën në rrugë në të gjithë vendin për të shënuar përvjetorin e parë të demonstratave dramatike kundër Projektligjit të Financave të mbajtura më 25 qershor të vitit të kaluar, të cilat çuan në bastisjen e parlamentit, të shtëna me armë nga policia dhe mbi 60 vdekje.

Administrata e presidentit William Ruto u përball me një analizë të rreptë për mënyrën si i trajtoi protestat, të cilat gjithashtu shkaktuan dëme të mëdha materiale.

Më vonë, qeveria pranoi viktimat dhe zhdukjet e lidhura me trazirat, ndërsa presidenti Ruto në muajin korrik shpërndau pothuajse të gjithë kabinetin e tij, duke mbajtur vetëm sekretarin e kabinetit të kryeministrit, Musalia Mudavadi dhe duke u zotuar se do të formojë një “qeveri me bazë të gjerë”.

Të nxitura nga zemërimi publik për rritjen e kostos së jetesës dhe politikat tatimore të presidentit Ruto, demonstratat në Nairobi, Kisumu dhe Mombasa ishin ndër ato më intensive. Fillimisht të përqendruara në kërkesat ekonomike, protestat u përshkallëzuan në thirrje për dorëheqje të presidentit dhe shkaktuan dëme të mëdha materiale.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.