Cape Town
Kenia tha se më shumë se 200 shtetas të saj po luftojnë për Rusinë në luftën e saj kundër Ukrainës, duke paralajmëruar se rrjetet e rekrutimit mbeten aktive dhe vazhdojnë të synojnë kenianët për rekrutim, transmeton Anadolu.
"Raportet thonë se mbi 200 kenianë mund të jenë bashkuar me ushtrinë ruse, disa prej të cilëve ish-anëtarë të shërbimeve të disiplinuara të Kenias", tha sekretari i kabinetit të kryeministrit, Musalia Mudavadi në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme.
Ukraina javën e kaluar tha se më shumë se 1.400 qytetarë nga vende afrikane po luftojnë së bashku me forcat ruse në Ukrainë, disa prej të cilëve janë rekrutuar përmes mashtrimit.
Duke e quajtur situatën jashtëzakonisht shqetësuese, Mudavadi u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes ndaj ofertave të punës jashtë vendit.
Javën e kaluar, presidenti kenian William Ruto në një telefonatë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, kërkoi lirimin e kenianëve të ndaluar në zonën e konfliktit.
Në një deklaratë të lëshuar nga Presidenca e Afrikës së Jugut më 6 nëntor thuhet se po bëhen përpjekje përmes kanaleve diplomatike për të riatdhesuar 17 afrikano-jugorë, të cilët ishin bindur të bëheshin mercenarë me premtime për paga të larta dhe që kishin mbetur të bllokuar në fushën e betejës në rajonin Donbas të Ukrainës.
