Bota

Kazakistan, mblidhet Asambleja e Përgjithshme e Unionit të Agjencive Turke të Lajmeve

Në Astana u mbajt takimi i dytë i Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës së Agjencive Turke të Lajmeve (ATNA), e përbërë nga agjencitë zyrtare të lajmeve të Turqisë, Azerbajxhanit, Kazakistanit, Kirgistanit dhe Uzbekistanit

Meiramgul Kussainova  | 07.11.2025 - Përdıtësım : 07.11.2025
Kazakistan, mblidhet Asambleja e Përgjithshme e Unionit të Agjencive Turke të Lajmeve Foto: Meiramgul Kussainova / AA

Kazakhstan

Në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, u mbajt takimi i dytë i Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës së Agjencive Turke të Lajmeve (ATNA), e përbërë nga agjencitë zyrtare të lajmeve të Turqisë, Azerbajxhanit, Kazakistanit, Kirgistanit dhe Uzbekistanit, raporton Anadolu.

Në takimin e organizuar nga kryetarja e Bordit drejtues të kompanisë shtetërore të medias Qazcontent të Kazakistanit, Ayna Zadabek morën pjesë Yusuf Ozhan, zëvendësdrejtor i përgjithshëm dhe kryeredaktor i Agjencisë Anadolu (AA); Fuad Gadilli, anëtar i Bordit të Agjencisë Shtetërore të Lajmeve të Azerbajxhanit (AZERTAC); Nurcan Kamaliyeva, menaxhere e Departamentit të Agjencisë Kombëtare të Lajmeve të Kirgizisë (Kabar); Javlonbek Azizov, kryeredaktor i Agjencisë Shtetërore të Lajmeve të Uzbekistanit (UzA); Istvan Zoltan Toth, menaxher i përmbajtjes së Agjencisë Hungareze të Lajmeve (MTI) dhe Elshan Shahbalayev, sekretar i Përgjithshëm i ATNA-s.

Në takim, ku morën pjesë edhe koordinatori i Publikimeve dhe Prodhimeve të AA-së, Oguz Karakas dhe menaxheri i Komunikimit Strategjik dhe Marrëdhënieve me Jashtë të AA-së, Bilgehan Ozturk, u diskutuan tema të tilla si institucionalizimi i ATNA-s, ndarja e përvojës dhe përmbajtjes midis agjencive anëtare dhe rritja e njohjes së saj ndërkombëtare. AA ia dorëzoi presidencën e ATNA-së kompanisë mediatike Qazcontent të Kazakistanit.

Kryetarja e Bordit të drejtorëve të kompanisë mediatike shtetërore Qazcontent, Zadabek tha se rolet e tyre të reja përfshijnë përgjegjësi të madhe. Ajo theksoi rolin kyç të Kazakistanit në krijimin e një rrjeti të përbashkët lajmesh për botën turke. Zadabek tha se ata kanë punuar më parë për institucionalizimin e mëtejshëm të ATNA-s dhe tani do të përqendrohen në zbatimin e projekteve konkrete.

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm dhe kryeredaktori i AA-së, Ozhan u përcolli anëtarëve të Bordit përshëndetjet e kryetarit dhe drejtorit të përgjithshëm të AA-së, Serdar Karagoz.

Ozhan tha se Karagoz besonte se ATNA do të bëhej një platformë aktive dhe produktive që nga themelimi i saj në vitin 2023 dhe shprehu krenari të madhe për zgjedhjen e AA-së si presidenti i parë i ATNA-s, e cila bashkon agjencitë e lajmeve nga bota turke. Më tej Ozhan shtoi se infrastruktura institucionale e ATNA-s është forcuar gjatë presidencës së AA-së dhe se bashkëpunimi midis agjencive të lajmeve anëtare ka arritur nivel të ri.

Pas fjalimit, Ozhan i dhuroi presidentes së re të ATNA-s dhe kryetares së Bordit të Kompanisë së Medias Shtetërore Qazcontent të Kazakistanit, Zadabek, një libër që përmban fotografitë e vlerësuara në 10 vitet e fundit të "Istanbul Photo Awards", një konkurs ndërkombëtar fotografik lajmesh i organizuar nga AA.

Në fjalimin e tij në takim, anëtari i Bordit të AZERTAC, Gadilli tha se ata kanë arritur rezultate të rëndësishme në dy vitet e fundit dhe se bashkëpunimi midis agjencive të lajmeve është bërë sistematik. Ai vuri në dukje se përpjekjet e ardhshme duhet të përqendrohen në krijimin e një rrjeti të përbashkët lajmesh të botës së bashkuar turke brenda kornizës së ATNA-s.

Kryeredaktori i UzA-s, Azizov tha se ATNA bëri përparim në periudhë të shkurtër kohore dhe se vendet anëtare të ATNA-s kanë potencial të madh si agjenci lajmesh. Ai tha se gazetarët e UzA-s morën pjesë në trajnimin për "Gazetarinë e Luftës" të AA-së në kuadër të bashkëpunimit të ATNA-s. Sipas tij, me kontribut të përbashkët dhe mbështetje të ndërsjellë ATNA mund të bëhet institucion më i fortë dhe më i njohur në arenën ndërkombëtare.

Sekretari i Përgjithshëm i ATNA-s, Shahbalayev falënderoi AA-në për kryesimin e suksesshëm të procesit të institucionalizimit të ATNA-së. Ai shtoi se ATNA ka përparuar gradualisht drejt qëllimit të saj për të krijuar hapësirë ​​të përbashkët lajmesh për shtetet turke gjatë dy viteve të fundit dhe se takimi i sotëm do të jetë moment i rëndësishëm në këtë proces.

Në takim, nga drejtori i Komunikimit Strategjik dhe Marrëdhënieve me Jashtë i AA-së, Ozturk u prezantua faqja zyrtare e internetit e ATNA-s dhe u vendos që Agjencia e Lajmeve MTI e Hungarisë të pranohet si anëtare vëzhguese e ATNA-s.

Përveç kësaj, mandati i sekretarit të përgjithshëm të ATNA-s u zgjat për një vit tjetër dhe u vendos që mbledhja e ardhshme e Asamblesë së Përgjithshme të ATNA-s të mbahet në Azerbajxhan.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.