Bota

Katari mirëpret dënimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për sulmin e Izraelit në Doha

"Katari mirëpret dënimin e Këshillit të Sigurimit për sulmin e pabesë të Izraelit ndaj delegacionit të Hamasit, i cili minon rendin ndërkombëtar", tha kryeministri i Katarit, Al-Thani

Ikrame Imane Kouachi  | 12.09.2025 - Përdıtësım : 12.09.2025
Katari mirëpret dënimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për sulmin e Izraelit në Doha

Ankara

Katari përshëndeti sot dënimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për sulmin izraelit ndaj një delegacioni të Hamasit në kryeqytetin Doha, duke e quajtur sulmin "të pabesë" dhe shkelje të normave ndërkombëtare, transmeton Anadolu.

"Katari mirëpret dënimin e Këshillit të Sigurimit për sulmin e pabesë të Izraelit ndaj delegacionit të Hamasit, i cili minon rendin ndërkombëtar, siç ia theksova Këshillit", tha kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al-Thani, në një deklaratë në platformën e mediave sociale të kompanisë amerikane X.

Ai theksoi se Doha është e përkushtuar ndaj "rolit të saj humanitar dhe diplomatik si dhe të drejtës për të mbrojtur sovranitetin dhe sigurinë tonë".

Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të enjten dënuan sulmin izraelit ndaj Katarit. Avionët luftarakë izraelitë të martën kryen sulm ajror që synonte udhëheqjen e Hamasit në kryeqytetin e Katarit. Në sulm u vranë pesë anëtarë të Hamasit dhe një personel sigurie i Katarit.

Kryeministri i Katarit është planifikuar të takohet me presidentin e SHBA-së Donald Trump të premten, së bashku me disa zyrtarë të lartë amerikanë, për të diskutuar sulmin izraelit ndaj Katarit dhe statusin e bisedimeve për armëpushim në Gaza, e cila ka qenë nën sulme të vazhdueshme të Izraelit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.