Katari: Bisedimet rreth detajeve për pauzën humanitare në Rripin e Gazës po shkojnë mirë
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit tha se njoftimi për kohën e fillimit të pauzës humanitare pritet në orët në vijim
Ankara
Katari ka njoftuar se bisedimet me Egjiptin për detajet e pauzës humanitare në Rripin e Gazës po shkojnë mirë, raporton Anadolu.
Me arritjen e pauzës humanitare dhe marrëveshjen e pengjeve të ndërmjetësuara me ndihmën e Egjiptit, Katarit dhe SHBA-së, 50 pengje që mbaheshin nga grupi palestinez Hamas do të lirohen gjatë katër ditëve, ndërsa Izraeli do të dorëzojë 150 palestinezë.
Majed Al Ansari, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Katarit, tha në një postim në X se një njoftim për kohën e fillimit të pauzës pritet në orët në vijim.
Ai theksoi se në vazhdimësi po punohet me Izraelin dhe Hamasin, si dhe me Egjiptin dhe SHBA-në, për të siguruar fillimin sa më të shpejtë të pauzës dhe për të ofruar mbështetjen e nevojshme për të garantuar angazhimin nga të dyja palët ndaj marrëveshjes.
Izraeli nisi sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas një sulmi të befasishëm nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.
Numri i njerëzve të vrarë në sulmet ajrore dhe tokësore izraelite në Rripin e Gazës është rritur në 14.532, duke përfshirë mbi 6.000 fëmijë dhe 4.000 gra, njoftoi të mërkurën zyra e medias në enklavën e rrethuar.
Ndërkohë, numri i izraelitëve të vdekurve është rreth 1.200, sipas shifrave zyrtare.
