Bota

Kandidati musliman për kryetar të New Yorkut: Kërcënimi i Trumpit për deportim "sulm ndaj demokracisë"

Me një deklaratë që e ndau në llogarinë e tij në X, Mamdani iu përgjigj deklaratave të Trumpit që e shënjestronin atë

Zeynep Katre Oran  | 02.07.2025 - Përdıtësım : 02.07.2025
Kandidati musliman për kryetar të New Yorkut: Kërcënimi i Trumpit për deportim "sulm ndaj demokracisë"

Ankara

Kandidati musliman që fitoi zgjedhjet paraprake për kryetar bashkie të Partisë Demokratike në New York të SHBA-së, Zohran Mamdani reagoi ndaj deklaratës së presidentit Donald Trump se do ta deportonte nëse ai do të parandalonte praktikat kundër emigrantëve të parregullt, transmeton Anadolu.

Me një deklaratë që e ndau në llogarinë e tij në X, Mamdani iu përgjigj deklaratave të Trumpit që e shënjestronin atë.

Mamdani tha se Trump e ka kërcënuar me marrjen e shtetësisë dhe deportim për arsyen se ka thënë që nuk do të bashkëpunojë me oficerët e Imigracionit dhe Doganave (ICE) kur të zgjidhet kryetar bashkie.

"Trump i tha këto fjalë jo sepse unë shkela ligjin, por sepse nuk do të lejoja që ICE të terrorizonte qytetin tonë", shtoi Mamdani.

Pasi theksoi se nuk do t'i nënshtrohet "kërcënimit" të Trumpit, Mamdani tha: "Deklaratat e Trumpit nuk janë vetëm sulm ndaj demokracisë sonë, ato gjithashtu i dërgojnë mesazh çdo banori të New Yorkut që refuzon të heshtë: 'Nëse ngrini zërin, ata do t'ju ndjekin'. Ne nuk do ta pranojmë këtë kërcënim".

Trump bëri deklarata në shënjestrim të Mamdanit gjatë vizitës së tij dje në qendrën e paraburgimit të quajtur "Krokodili i Alkatrazit" në Florida, ku do të mbahen emigrantë të parregullt.

Duke vënë në dukje se nëse Mamdani nuk do të bashkëpunojë me autoritetet e imigracionit, ata do të duhej ta arrestojnë dhe deportojnë, Trump tha: "Nuk kemi nevojë për një komunist në këtë vend, por nëse ka, unë do ta vëzhgoj me shumë kujdes në emër të kombit".

- Kandidati musliman Mamdani fitoi zgjedhjet paraprake për kryetar bashkie

Sipas rezultateve zyrtare të shpallura dje në SHBA, Mamdani, anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve fitoi zgjedhjet paraprake për kryetar bashkie të Partisë Demokratike të mbajtura në New York.

Mamdani mori 56 për qind të votave, duke mposhtur me 12 pikë diferencë kundërshtarin e tij më të fortë, ish-guvernatorin e New Yorkut, Andrew Cuomo.

Zohran Mamdani 33 vjeç do të jetë kryetari i parë musliman dhe nga Azia Jugore i New Yorkut nëse fiton zgjedhjet që do të mbahen më 4 nëntor.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.