Kancelari i ri paralajmëron SHBA-në kundër ndërhyrjes në punët e brendshme të Gjermanisë
Merz përsëriti se qeveria amerikane duhet të "qëndrojë jashtë" politikës së brendshme gjermane, duke theksuar se planifikon që nesër të ketë një telefonatë me presidentin e SHBA-së, Donald Trump

Berlin
Kancelari i ri i Gjermanisë, Friedrich Merz ka paralajmëruar SHBA-në kundër ndërhyrjes në politikën e brendshme të vendit të tij, transmeton Anadolu.
"Do të inkurajoja qeverinë amerikane që ta lërë politikën e brendshme në Gjermani të jetë politikë e brendshme dhe të qëndrojë kryesisht larg këtyre konsideratave partiake", tha Merz në një intervistë për transmetuesin publik ZDF.
Merz përsëriti se qeveria amerikane duhet të "qëndrojë jashtë" politikës së brendshme gjermane, duke theksuar se planifikon që nesër të ketë një telefonatë me presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
Ai tha se ende nuk e njeh personalisht Trumpin, por do të flasë me të "hapur".
Kancelari gjerman theksoi se ai vetë nuk ka "ndërhyrë kurrë në fushatën zgjedhore amerikane dhe nuk ka mbajtur anë". Merz akuzoi qeverinë amerikane për përhapjen e "pikëpamjeve absurde të Republikës Federale të Gjermanisë".
I pyetur në lidhje me mbështetjen e SHBA-së për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), ai tha: "Gjithmonë kam pasur përshtypjen se Amerika mund të bëjë dallimin midis partive ekstremiste dhe partive të qendrës politike".
Përfaqësuesit e qeverisë amerikane mbështetën vazhdimisht dhe në mënyrë agresive AfD-në gjatë fushatës zgjedhore ndërsa Elon Musk, i besuari i Trumpit, madje intervistoi edhe udhëheqësen e AfD-së, Alice Weidel.
Së fundmi, Shtëpia e Bardhë kritikoi ashpër qeverinë gjermane për klasifikimin e AfD-së si ekstremiste e krahut të djathtë.