Kancelari gjerman: Ukraina do të marrë raketa me rreze të gjatë veprimi
“Për muaj të tërë, ne kemi punuar intensivisht me qeverinë ukrainase për të zbatuar projekte për zjarr artilerie me rreze të gjatë, siç e quajmë teknikisht. Ushtria ukrainase do të pajiset me sisteme të tilla armësh”, tha Merz
Berlin
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka konfirmuar se sistemet e raketave me rreze të gjatë veprimi do t’i vihen në dispozicion Ukrainës, megjithëse nuk pranoi të japë detaje rreth sasive ose afateve kohore, transmeton Anadolu.
“Për muaj të tërë, ne kemi punuar intensivisht me qeverinë ukrainase për të zbatuar projekte për zjarr artilerie me rreze të gjatë, siç e quajmë teknikisht. Ushtria ukrainase do të pajiset me sisteme të tilla armësh”, tha Merz në një konferencë të përbashkët për media në Berlin me kryeministrin suedez, Ulf Kristersson.
I pyetur për ngurrimin e mëparshëm të Gjermanisë për të dërguar në Ukrainë raketa lundrimi me rreze të gjatë veprimi Taurus, Merz nuk pranoi të japë detaje, duke e përshkruar këtë qasje si një taktikë për të rritur presionin ndaj Rusisë.
“Ne kemi rënë dakord se nuk do të diskutojmë më publikisht detajet, sepse besojmë se një shkallë e caktuar paqartësie është e nevojshme, veçanërisht për palën ruse, në lidhje me shkallën e mbështetjes sonë ushtarake në këtë fushë”, tha kancelari gjerman.
“Mund të them vetëm se po bëjmë gjithçka që mundemi për ta pajisur ushtrinë ukrainase me sisteme armësh që kanë rrezen e duhur të veprimit. Dhe kjo do të vazhdojë në javët dhe muajt e ardhshëm, nëse është e nevojshme, deri në prodhimin e sistemeve të tilla të armëve vetë në Ukrainë”, shtoi ai.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
