Kancelari gjerman: Rusia "po teston kufijtë" përmes inkursioneve me dronë në Poloni dhe Rumani
Kancelari Friedrich Merz akuzoi presidentin rus Vladimir Putin se po përpiqet të destabilizojë Evropën, duke thënë se aleatët evropianë do të forcojnë mbrojtjen për të penguar Rusinë.

Berlin
Kancelari gjerman Friedrich Merz akuzoi sot Rusinë për përpjekje të qëllimshme për të destabilizuar Evropën, së fundmi me anë të inkursioneve me dronë në aleatët e NATO-s, Poloni dhe Rumani, transmeton Anadolu.
"Presidenti rus Putin ka kohë që po teston kufijtë. Ai saboton, spiunon, vret dhe mbjell qëllimisht pasiguri", tha Merz gjatë një debati për buxhetin në parlament.
"Rusia synon të destabilizojë shoqëritë tona, por ne do ta parandalojmë këtë, si nga jashtë, ashtu edhe nga brenda", shtoi ai.
Duke iu përgjigjur kritikave nga partitë opozitare mbi politikën ndaj Ukrainës, Merz tha se qeveria e tij po mbështet përpjekjet për t'i dhënë fund luftës, por nuk do të mbështesë një "paqe të diktuar" në kurriz të vullnetit të Ukrainës.
"Përfundimi i saj në kurriz të sovranitetit politik dhe integritetit territorial të Ukrainës është jashtë diskutimit", theksoi udhëheqësi konservator. "Një kapitullim vetëm sa do ta inkurajonte Putinin të kërkonte objektivin e tij të radhës. Ne kemi parë se sa konkrete mund të bëhet kjo me shkeljen e hapësirës ajrore polake dhe rumune në ditët e fundit", shtoi ai.
Merz vuri në dukje se Gjermania dhe aleatët e saj evropianë do të forcojnë aftësitë e tyre mbrojtëse për të penguar agresionin e mëtejshëm rus.