Bota

Kancelari gjerman: Opsioni më i mirë për të mbështetur Ukrainën, përdorimi i aseteve të ngrira ruse

Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se nuk sheh ndonjë mundësi më të mirë sesa përdorimi i aseteve të ngrira ruse për të mbështetur Ukrainën

Erbil Başay  | 18.12.2025 - Përdıtësım : 18.12.2025
Kancelari gjerman: Opsioni më i mirë për të mbështetur Ukrainën, përdorimi i aseteve të ngrira ruse

Berlin

Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se nuk sheh ndonjë mundësi më të mirë sesa përdorimi i aseteve të ngrira ruse për të mbështetur Ukrainën, transmeton Anadolu.

Merz e bëri deklaratën për gazetarët para Samitit të Liderëve të Bashkimit Evropian (BE) në Bruksel. Ai tha se një nga dy çështjet e rëndësishme që do të diskutohen në samit janë mbështetja për Ukrainën. "Dua që asetet e ngrira ruse të përdoren për këtë. Nuk shoh ndonjë mundësi më të mirë", shtoi ai.

Merz tha se ka përshtypjen se mund të arrihet zgjidhje për këtë çështje, duke vënë në dukje se i kupton rezervat (ngurrimet) e shteteve anëtare të BE-së, veçanërisht të qeverisë belge.

Megjithatë, ai shprehu shpresën se këto rezerva mund të adresohen së bashku dhe se BE-ja mund të nisë një rrugë që do të dërgojë një sinjal force dhe vendosmërie ndaj Rusisë. "Domosdoshmëria e kësaj është e qartë nga reagimet e presidentit rus në orët e fundit", tha ai.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në lidhje me asetet e ngrira ruse, Merz tha: "Nga pikëpamja ime, kjo është vërtet e vetmja mundësi. Në thelb, ne përballemi me një zgjedhje: nëse do të përdorim borxhin evropian apo asetet ruse për Ukrainën. Pikëpamja ime është e qartë: ne duhet të përdorim asetet ruse".

Ai kujtoi se asetet ruse u ngrinë për një kohë të pacaktuar një javë më parë, që do të thotë se Rusia nuk mund t'i qaset më atyre dhe se ato mund të përdoren siç është propozuar nga Komisioni Evropian.

Merz përmendi se një çështje tjetër e rëndësishme që do të diskutohet në samit është marrëveshja e tregtisë së lirë midis BE-së dhe Tregut të Përbashkët Jugor (MERCOSUR), duke vënë në dukje se kjo marrëveshje ka qenë në negociata për 25 vjet dhe se ka ardhur koha për të marrë një vendim.

Ai shprehu shpresë për miratimin e saj. "Nëse BE-ja dëshiron të ruajë besueshmërinë e saj në politikën globale tregtare, ajo duhet të marrë vendime tani. Ky vendim mund të merret vetëm me miratimin evropian. Presidentja e Komisionit Evropian dhe presidenti i Këshillit duhet të udhëtojnë nesër në Amerikën e Jugut për të nënshkruar këtë marrëveshje", tha kancelari gjerman, Merz.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.