Kancelari gjerman e quan situatën në Gaza “të papranueshme”
“Për sa kohë që (ky konflikt) vazhdon, të paktën një minimum ndihme, asistence mjekësore dhe ndihme ushqimore duhet të garantohet për popullsinë. Dhe Izraeli, sigurisht, mban një shkallë të konsiderueshme të përgjegjësisë për këtë”, tha Merz

Berlin
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, e ka quajtur situatën humanitare në Gaza “të papranueshme”, transmeton Anadolu.
“Një gjë është e qartë për ne, situata atje është e papranueshme. Duhet të përfundojë sa më parë. Për sa kohë që (ky konflikt) vazhdon, të paktën një minimum ndihme, asistence mjekësore dhe ndihme ushqimore duhet të garantohet për popullsinë. Dhe Izraeli, sigurisht, mban një shkallë të konsiderueshme të përgjegjësisë për këtë”, u tha Merz gazetarëve në qytetin jugperëndimor Saarbruecken.
Pavarësisht situatës së rëndë humanitare në Rripin e Gazës, Gjermania ka qenë një nga shtetet e Bashkimit Evropian (BE) që ka hedhur poshtë sanksionet kundër Izraelit.
Kjo ishte një nga arsyet pse qeveritë e BE-së nuk ishin në gjendje të bien dakord për një propozim nga Komisioni Evropian, i cili propozoi pezullimin e përkohshëm të pjesëmarrjes së Izraelit në programin e financimit të hulumtimit Horizon Europe.
Sipas kancelarit gjerman, qeveria e tij së shpejti do të vendosë për hapat e mëtejshëm në konfliktin e Gazës. Ai pret një raport nga ministri i jashtëm Johann Wadephul sapo të kthehet nga vizita e tij në Izrael dhe territoret palestineze të shtunën.
“Ne do ta presim këtë raport dhe do të marrim të gjitha vendimet e mëtejshme”, tha Merz kur u pyet nëse qeveria gjermane mund ta imagjinojë pjesëmarrjen në sanksione kundër Izraelit.
Ai shtoi se qeveria tashmë ka diskutuar në Kabinetin e Sigurisë të hënën e kaluar “si mund të veprojmë së bashku me partnerët tanë evropianë”.
Qeveria e qendrës së djathtë e Gjermanisë është nën presion në rritje për të miratuar një qëndrim më të ashpër ndaj Izraelit lidhur me atë që organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut e quajnë gjenocid në Gaza.
Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka vazhduar me ofensivës brutale në Gaza që nga 7 tetori i vitit 2023, duke vrarë të paktën 60.300 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën dhe kanë çuar në mungesë ushqimi.
Të hënën, grupet izraelite të të drejtave të njeriut B’Tselem dhe Mjekët për të Drejtat e Njeriut-Izrael akuzuan Izraelin për kryerjen e gjenocidit në Gaza, duke përmendur shkatërrimin sistematik të shoqërisë palestineze dhe çmontimin e qëllimshëm të sistemit të kujdesit shëndetësor të territorit.
Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.