Kancelari gjerman: Aleatët evropianë janë në bisedime për mbrojtje të përbashkët bërthamore
Kancelari gjerman Friedrich Merz konfirmoi sot se aleatët evropianë janë në bisedime për të zhvilluar mbrojtje të përbashkët bërthamore, ndërsa theksoi se Gjermania nuk do të zotërojë armë bërthamore
Kancelari gjerman Friedrich Merz konfirmoi sot se aleatët evropianë janë në bisedime për të zhvilluar mbrojtje të përbashkët bërthamore, ndërsa theksoi se Gjermania nuk do të zotërojë armë bërthamore, transmeton Anadolu.
"Gjermania është zotuar në dy traktate ndërkombëtare detyruese që të mos zotërojë armët e veta bërthamore. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që ne nuk mund të diskutojmë për mbrojtje të përbashkët bërthamore me shtetet evropiane", u tha ai gazetarëve në Berlin.
Udhëheqësi konservator konfirmoi se bisedime të tilla midis Berlinit dhe kryeqyteteve të tjera evropiane janë duke u zhvilluar, por nuk dha detaje të mëtejshme.
"Këto diskutime janë duke u zhvilluar, por ato janë në fazat e tyre shumë të hershme dhe nuk bien ndesh me ndarjen bërthamore me SHBA-në. Ato mund të jenë plotësuese", tha Merz.
"Por, përsëri këto diskutime janë në fazat e tyre shumë të hershme. Ne e dimë se do të duhet të marrim disa vendime strategjike dhe ushtarako-politike, por koha nuk ka ardhur ende për këtë", shtoi ai.
Në muajt e fundit, disa politikanë kryesorë kanë shprehur shqetësime se evropianët nuk mund të mbështeten më në ombrellën bërthamore të SHBA-së për shkak të qasjes së paparashikueshme të presidentit, Donald Trump. Ata kanë bërë thirrje që BE-ja të zhvillojë aftësitë e veta të mbrojtjes bërthamore.
