Bota

Kallas: Plani i BE-së për mbrojtje nga dronët plotëson NATO-n dhe forcon mbrojtjen e Evropës

"Iniciativa e re e bllokut për mbrojtje nga dronët do të funksionojë në bashkëpunim me NATO-n për të rritur mbrojtjen e Evropës kundër kërcënimeve ajrore", tha Kallas

Beyza Binnur Dönmez  | 16.10.2025 - Përdıtësım : 16.10.2025
Kallas: Plani i BE-së për mbrojtje nga dronët plotëson NATO-n dhe forcon mbrojtjen e Evropës

Gjenevë

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas tha të mërkurën se iniciativa e re e bllokut për mbrojtje nga dronët do të funksionojë në bashkëpunim me NATO-n për të rritur mbrojtjen e Evropës kundër kërcënimeve ajrore, duke theksuar se "dronët mund të vijnë nga kudo", transmeton Anadolu.

"Planet ushtarake vijnë nga NATO, kjo është shumë e qartë. Por, prokurimi duhet të bëhet nga shtetet anëtare", u tha Kallas gazetarëve përpara Këshillit të Punëve të Jashtme për mbrojtjen. Ajo tha se roli i BE-së është të "ndihmojë shtetet anëtare të bëjnë prokurime të përbashkëta, projekte kryesore, në mënyrë që në fakt të ndihmojë shtetet anëtare të përmbushin objektivat e tyre të aftësive".

Ajo tha se plani ka evoluar nga një koncept rajonal i "mureve të dronëve" në një strategji mbarë-evropiane, pasi vendet e tjera njohën dobësitë e përbashkëta, përfshirë ato nga deti dhe jugu.

"Në fakt po flasim për të gjithë Evropën kur bëhet fjalë për mbrojtjen nga dronët", tha Kallas.

Kryediplomatja e BE-së tha se bashkëpunimi evropian me industrinë e mbrojtjes të Ukrainës mund të "ulë kostot e prokurimit, kohën e prokurimit", duke vënë në dukje se inovacioni i fushëbetejës së Kievit ofron mësime të vlefshme për planet më të gjera të gatishmërisë mbrojtëse të Evropës.

E pyetur për përfshirjen e mundshme të BE-së në Gaza, Kallas tha se blloku mund të kontribuojë përmes misioneve të tij ekzistuese në vend të vendosjeve të reja ushtarake. Ajo tha se këto misione janë Misioni i Ndihmës Kufitare të BE-së në Rafah, i cili është rihapur dhe Misioni Policor i BE-së që mbështet trajnimin për policinë palestineze. Mandatet e të dy misioneve, shtoi ajo, mund të zgjerohen "nëse është e nevojshme".

"Deri më tani, nuk kemi paraqitur plan konkret për të patur mision të veçantë ushtarak. Varet nga shtetet anëtare", potencoi Kallas.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.