Bota

Kabuli i bën thirrje SHBA-së të mos “kërcënojë” integritetin territorial të Afganistanit pas paralajmërimit të Trumpit

"Është komunikuar vazhdimisht me SHBA-në në të gjitha negociatat bilaterale se, për Emiratin Islamik, pavarësia dhe integriteti territorial i Afganistanit kanë rëndësi thelbësore,” shkroi Fitrat

Berk Kutay Gökmen  | 21.09.2025 - Përdıtësım : 21.09.2025
Kabuli i bën thirrje SHBA-së të mos “kërcënojë” integritetin territorial të Afganistanit pas paralajmërimit të Trumpit

Stamboll

Kabuli i ka bërë thirrje SHBA-së të mos “kërcënojnë” integritetin territorial të Afganistanit, pas paralajmërimit të presidentit Donald Trump se “gjëra të këqija” do të ndodhin nëse administrata e përkohshme e talebanëve nuk ia dorëzon Pentagonit kontrollin e bazës ajrore Bagram, transmeton Anadolu.

“Është komunikuar vazhdimisht me SHBA-në në të gjitha negociatat bilaterale se, për Emiratin Islamik, pavarësia dhe integriteti territorial i Afganistanit kanë rëndësi thelbësore,” shkroi Hamdullah Fitrat, zëdhënësi i përkohshëm i administratës, në platformën sociale të kompanisë amerikane X.

Ai tha se sipas Marrëveshjes së Dohas të vitit 2020 SHBA-ja u zotua se “nuk do të përdorë dhe as nuk do të kërcënojë me forcë kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të Afganistanit dhe nuk do të ndërhyjë në punët e tij të brendshme”.

Sipas marrëveshjes së vitit 2020 midis talebanëve dhe administratës së parë të Trumpit, të gjitha forcat e huaja u tërhoqën nga Afganistani deri në vitin 2021, pas së cilës talebanët formuan një administratë të përkohshme që tani udhëheq vendin e shkatërruar nga lufta.

Fitrat i bëri thirrje palës amerikane të “mbeten besnike ndaj zotimeve” të Dohas, duke i bërë thirrje Washingtonit të ndjekë një politikë “realizmi dhe racionaliteti” në vend se të “përsërisë qasjet e dështuara të së kaluarës”.

Deklaratat nga Kabuli erdhën pasi Trump të shtunën lëshoi një paralajmërim në rrjetin e tij social Truth Social, duke theksuar se, “Nëse Afganistani nuk ia kthen bazën ajrore Bagram atyre që e ndërtuan, SHBA-së, gjëra të këqija do të ndodhin”.

Bagrami, i vendosur në veri të Kabulit, ishte instalimi më i madh amerikan gjatë luftës 20-vjeçare në Afganistan, përpara tërheqjes së plotë të SHBA-së në vitin 2021.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.