Bota

Kërkohet ndikimi i Turqisë në arenën ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës Rohingya

“Ju lutemi tërhiqni vëmendjen e komunitetit botëror në mënyrë që qeveria e Mianmarit të binidet dhe t’i marrë përsëri refugjatët Rohingya në vendin e tyre”. tha Mahbub Alam Talukder

Sorvar Alam   | 23.01.2020
Kërkohet ndikimi i Turqisë në arenën ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës Rohingya

Cox's Bazar

Një zyrtar i Bangladeshit i ka bërë thirrje qeverisë turke të ndërmarrë më shumë hapa në arenën ndërkombëtare për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës Rohingya, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ju lutemi tërhiqni vëmendjen e komunitetit botëror në mënyrë që qeveria e Mianmarit të bindet dhe t’i marrë përsëri refugjatët Rohingya në vendin e tyre”. tha Mahbub Alam Talukder, komisioner për ndihmë dhe riatdhesim të refugjatëve në rrethin Cox’s Bazar të Bangladeshit.

Në Cox’s Bazar, qytet juglindor i Bangladeshit, po strehohen mbi 1.1 milion refugjatë Rohingya të cilët shpëtuan nga persekutimi në shtetin Rakhinë të Mianmarit.

Para vizitës së tyre të planifikuar për në kampet e refugjatëve në Cox’s Bazar, Talukder foli në një takim me një delegacion turk të udhëhequr nga ish-ministri Mehmet Özhaseki, aktualisht nënkryetar i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në pushtet.

Talukder po ashtu përshëndeti dhe vlerësoi ndihmën humanitare dhe diplomatike të Turqisë për Bangladeshin për t’u ballafaquar me krizën e refugjatëve.

Özhaseki, nga ana e tij, riafirmoi mbështetjen e pakushtëzuar të Turqisë për refugjatët, duke deklaruar se Turqia e cila strehon rreth 3.5 milion refugjatë sirianë, si dhe Bangladeshi po i përmbushin përgjegjësitë e tyre para historisë.

Por, ai vuri në dukje se “disa vende arabe” me fuqi të mëdha ekonomike kanë dështuar në këtë provë, gjegjësisht për të mbështetur refugjatët.

“Për sa kohë që qeveria e Bangladeshit na lejon të punojmë këtu (në kampe refugjatësh), ne do të vazhdojmë të bëjmë më të mirën tonë për të mbështetur Rohingya-t”, shtoi Özhaseki.

Gjatë vizitës, Özhaseki u shoqërua nga ambasadori i sapoemëruar turk në Bangladesh, Mustafa Osman Turan, kryetari i provincës turke Şanlıurfa, Zeynel Abidin Beyazgül dhe nga disa ish-deputetë të AK Partisë.

Rohingya, komunitet i persekutuar

Populli Rohingya, i përshkruar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) si njerëzit më të persekutuar në botë, është përballur me frikën e rritur të sulmeve, pasi dhjetëra u vranë në dhunën e vitit 2012.

Sipas Amnesty International, më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht fëmijë dhe gra, u larguan nga Mianmari dhe kaluan në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit nisën një goditje ndaj komunitetit pakicë musliman në gusht të vitit 2017, duke e çuar numrin e njerëzve të persekutuar në Bangladesh në më shumë se 1,2 milionë.

Sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit Ontarios (OIDA), që nga 25 gushti i vitit 2017, rreth 24 mijë muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit.

Më shumë se 34 mijë Rohingya u hodhën në zjarr ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën, tha raporti i OIDA-s, i titulluar "Migrimi i detyruar i popullit Rohingya: Përvoja e patreguar".

Raporti tha se rreth 18 mijë gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit si dhe mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën dhe 113 mijë të tjera u vandalizuan.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın