Jemen, protesta kundër gjenocidit të Izraelit dhe sulmeve ndaj gazetarëve në Gaza
- Mijëra studentë dhe akademikë në Universitetin Sana u mblodhën për të dënuar vrasjen e gazetarit të Al Jazeera-s, Anas al-Sharif dhe kolegëve të tij nga Izraeli si dhe gjenocidin e vazhdueshëm në Gaza.

Istanbul
SANA (AA) - Në protestat e mbajtura në qytetet Sana dhe Taiz të Jemenit u dënua gjenocidi i Izraelit që vazhdon në Rripin e Gazës dhe vrasja e gazetarëve të Al Jazeera-s, raporton Anadolu.
Mijëra studentë dhe akademikë në Universitetin Sana u mblodhën për të dënuar vrasjen e gazetarit të Al Jazeera-s, Anas al-Sharif dhe kolegëve të tij nga Izraeli si dhe gjenocidin e vazhdueshëm në Gaza.
Pjesëmarrësit në protestën e cila u mbajt nën sloganin "Ne do të vazhdojmë të mbështesim Gazën", mbajtën flamuj palestinezë dhe jemenas, pankarta që dënojnë gjenocidin në Gaza dhe brohoritën slogane që dënojnë politikën e "urisë".
Në një deklaratë me shkrim të lëshuar nga organizatorët thuhet se "Shënjestrimi i gazetarëve nga Izraeli është përpjekje e dështuar për të mbuluar krimet e tmerrshme që po kryen kundër të pafajshmëve para syve të botës".
Në deklaratë paralajmërohet se përgatitjet e Izraelit për të zgjeruar sulmet e tij në Gaza dhe rrethimi i tij i vazhdueshëm, gjenocidi dhe krimet brutale kundër 2 milionë njerëzve do të kenë pasoja të rrezikshme. Gjenocidi në Gaza dhe vrasja e gazetarëve u dënuan gjithashtu në një protestë në qytetin jugor jemenas të Taizit.
Qindra jemenas marshuan në rrugën "Jamal", një nga rrugët më të mëdha të qytetit, duke mbajtur flamuj palestinezë dhe jemenas dhe fotografi të Anas al-Sharif dhe kolegëve të tij.
Demonstruesit protestuan kundër planit të Izraelit për të ripushtuar Rripin e Gazës dhe për të kryer Holokaustin më të keq në historinë moderne, duke brohoritur slogane të tilla si "Gaza, simbol i dinjitetit" dhe "Jetët tona sakrifikohen për ty, o Al-Aksa, o Palestinë".
Një deklaratë me shkrim nga organizatorët e protestës tha se "Krimet e fundit të Izraelit në Gaza, përfshirë vrasjen e gazetarëve palestinezë, ekspozojnë falsitetin e sloganeve perëndimore për të drejtat e njeriut dhe kolapsin moral të qeverive që ofrojnë mbështetje financiare dhe me armë për Izraelin".
"Akte të tilla kërcënojnë vlerat njerëzore dhe ekspozojnë një mendësi të varur pas gjakderdhjes dhe kaosit", theksohet mes tjerash në deklaratë.