Japonia rinis operacionet në reaktorin e centralit bërthamor më të madh në botë pas ndalimit të janarit
TEPCO thotë se operacionet komerciale në reaktorin nr. 6 Kashiwazaki-Kariwa janë planifikuar për 18 mars pas kontrolleve të sigurisë
Stamboll
Japonia të hënën rifilloi operacionet në një reaktor në termocentralin bërthamor më të madh në botë në prefekturën Niigata, në veriperëndim të Tokios, pasi përcaktoi shkakun e një mosfunksionimi që detyroi një mbyllje muajin e kaluar, transmeton Anadolu.
Tokyo Electric Power Company Holdings Inc. (TEPCO) rifilloi reaktorin nr. 6 në termocentralin bërthamor Kashiwazaki-Kariwa, i cili ishte pezulluar më 23 janar pasi ra një alarm gjatë tërheqjes së shufrës së kontrollit, raportoi Kyodo News.
TEPCO tha se planifikon të fillojë operacionet komerciale më 18 mars, pas inspektimeve të vazhdueshme të pajisjeve për të garantuar sigurinë e sistemit në reaktorin 1.360 megavat.
Centrali bërthamor Kashiwazaki-Kariwa, i cili ka një kapacitet total prej 8.2 gigavatësh dhe përbëhet nga shtatë reaktorë, ka mbetur kryesisht jashtë funksionit që nga viti 2012 pas aksidentit të Fukushimës të shkaktuar nga tërmeti dhe cunami.
Centrali përdor reaktorë me ujë të valë, të njëjtin lloj të përfshirë në katastrofën e Fukushimës, dhe operohet nga TEPCO.
Japonia rifilloi për pak kohë operacionet në reaktor në fund të janarit, por i ndaloi ato një ditë më vonë për shkak të problemeve që përfshinin sistemet e shufrave të kontrollit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
